Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dalë kundër iniciativës së top klubeve evropiane që janë marrë vesh ta krijojnë Super Ligën e Evropës.
Ai tha se një ligë e tillë do ta prishte formatin e tanishëm të futbollit dhe do të ndikonte për të keq edhe në garat kombëtare.
“Nëse kjo mund të ndodhë që të futet në një grusht të disa klubeve, gjithsesi edhe pse neve direkt nuk do të na prekte kjo, për faktin që jemi federatë të vogla, por sigurisht nuk do të jetë mirë për futbollin dhe besoj që nuk do të realizohet kjo”, ka thënë Ademi në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Nuk është në rregull kjo të bëhet”, vijoi mes tjerash ai.
“Si federatë e futbollit besoj të gjitha federatat jemi në bashkëpunim dhe i përkrahim të gjitha vendimet që UEFA i merr”.
Ademi pohon që këto 12 klube e morën këtë vendim për interesa të ngushta, dhe deklaron që futbolli duhet të bëhet në organizatat ekzistuese të futbollit.
Ai e pranoi madhështinë e këtyre klubeve, por thotë se ka qenë pikërisht ky format që i bëri të mëdha ato, dhe se ato duhet t’ia japin edhe një mundësi këtij formati.
“Futbolli luhet për tifozë, edhe nëse tifozët janë kundër nuk besoj se mund të jetë prapë e realizueshme, sepse gjithsesi nuk janë në futboll vetëm mjetet material”.
“Këto [klube] duhet sigurisht të kenë kujdes sepse mund t’i bëjnë dëm edhe futbollistëve të tyre dhe nuk dihet pastaj se çfarë vendimesh mund të merren nga UEFA dhe FIFA; [klubet] duhet të jenë shumë të matura”.
“Unë besoj se do të arrihet një zgjidhje, do të arrihet një kompromis, janë klube të mëdha dhe duhet të mos ndahen nga familja”, deklaroi Ademi.