Pas një hulumtimi të gjatë Albanian Post ka arritur të vërtetojë përmes dokumenteve dhe të dhënave se si kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, keqpërdoron paratë publike për ta mirëmbajtur vetën në krye të futbollit kosovar. Skema korruptive e tij fillon nga keqpërdorimet e detyrës zyrtare brenda FFK-së, vazhdon me biznese e përfundon me analistë të paguar në studio televizive. Kjo është pjesa e parë e hulumtimit.
Përmes një sistemi korruptiv të sofistikuar, Agim Ademi, Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), u ka shpërndarë para nga buxheti i FFK-së biznesmenëve të ndryshëm të lidhur me të, familjarëve të tij, pronarëve të klubeve, përfaqësuesve të tifozëve të Kosovës e analistëve të ndryshëm që mbrojnë Ademin dhe udhëheqjen e tij në FFK në studio televizive.
Përmes të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post, dëshmohet se dhjetëra njerëz të afërt me Agim Ademin, kanë fituar para kundërligjshëm nga Shtëpia e Futbollit të Kosovës.
Keqpërdorimet në FFK, të cilat janë zbërthyer përmes një hulumtimi nga AP, janë bërë në bashkëveprim nga zyrtarët më të lartë të FFK-së, duke përfshirë kryetarin Ademi, ish-ushtruesin e detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Hodaj, si dhe anëtarët e Komisionit Ekzekutiv të FFK-së, Bakir Burri, Agim Dibrani, Predrag Joviç, Vjollca Krasniqi, Ismajl Ajeti, Xhelal Broja, Agim Nura, Mirsad Qollaku dhe Iljaz Mjaku.
Sipas faturave që i posedon AP, Ademi me ish-ushtruesin e detyrës së Sekretarit të FFK-së Taulant Hodaj, i kanë mundësuar kompanisë “Hodaj & Partners”, që është në pronësi (60% të aksioneve) të Hodajt të përfitojë 42 mijë e 87 euro e 75 cent nga buxheti i FFK-së vetëm në vitin 2021.
Kjo ka vazhduar edhe në vitin 2022, konkretisht për dy muaj të këtij viti, ku ka përfituar 13 mijë e 923 euro e 50 cent.
Në total, përgjatë viteve 2021\22 kompania e Hodajt, i cili ka qenë avokat i Ademit në disa procese gjyqësore, në kohën kur ishte edhe u.d i Sekretarit të FFK-së, ka përfituar 56 mijë e 11 euro e 25 cent.
Me këtë vendim, kreu i FFK-së dhe Hodaj dyshohet se kanë shkaktuar veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, pasi që i kanë mundësuar vetes dhe të tjerëve përfitime pasurore në kundërshtim me Ligjin e Organizatave Joqeveritare (FFK funksionon me ligj të OJQ-ve), përkatësisht nenin 32, pika 1 dhe në kundërshtim me Statutin e FFK-së, nenin 23, pika 7.
“Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e OJQ-së nuk përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtarë, punonjës ose donator të OJQ-së, përveç pagesës për personat që kryejnë punën për organizatën”, thuhet në ligj.
Ndërsa, në statutin e FFK-së theksohet se “anëtari i organit apo trupit Statutar të FFK nuk mund të marrë pjesë në sjelljen e vendimeve rreth asnjë çështje, ku mund të ketë konflikt interesash”.
Kompania “Hodaj &Partners” ka mbrojtur Agim Ademin në Gjykatën Supreme, kur ky ishte i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm nga shkalla e dytë.
Emërimin e Hodajt si u.d i Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së e kishte kundërshtuar edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, pasi që kishin konstatuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me statutin e tyre. Duke pasur parasysh këtë, FFK-ja kishte vendosur që kinse atë ta emërojë vetëm si ushtrues detyre, ndonëse në paraqitje televizive e delegacione zyrtare, Hodaj paraqitej si Sekretari i Përgjithshëm.
Por, lidhja e Ademit me Hodajn nuk përfundon me kaq. AP merr vesh se edhe zyra e avokatisë që është në pronësi prej 60 për qind të aksioneve nga Hodaj, gjendet në një nga ndërtesat e Ademit në kryeqytet.
Blerja e veturës me para të FFK-së për Muharrem Sahitin
Rast tjetër i keqpërdorimit të mjeteve financiare të FFK-së nga Agim Ademi është blerja e një veture që do të përfundonte e regjistruar në pronësi private të Drejtorit të Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti.
Kjo kishte ndodhur më 14 shtator të vitit 2021. Vlera veturës, hiç më pak se 20 mijë euro.
Kjo veturë është blerë në auto-sallonin “Auto Geni SHPK”, dhe është paguar nga llogaria bankare e FFK-së me datë 13.09.2021, fatura 001-40 dhe është regjistruar në emër privat të Muharrem Sahitit.
Me ketë vendim, Sahiti dhe shefi i tij në krye të FFK-së Ademi, dyshohet se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, meqë pasuria e organizatës nuk mund të tjetërsohet e të bartet në emër privat në asnjë lloj forme.
Muharrem Sahiti, i cili mori “dhuratë” veturë nga Ademi, merr pagë të rregullt mujore nga FFK në vlerë 2 mijë e 992 euro e 50 cent. Ai është delegat në Kuvendin e FFK-së (përfaqësues i votës së trajnerëve të Kosovës), i cili ka votuar për emërimin e Agim Ademit si Kryetar i FFK-së, duke rënë ndesh kështu me Nenin 32, pika 1 e ligjit mbi OJQ-të dhe Statutit të FFK-së, Neni 23, pika 7.
Vetura në fjalë tashmë është sekuestruar nga organet e rendit, derisa për këtë rast ishte ndaluar për 48-orë edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi, gjatë vitit të kaluar për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.
“I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Për këtë rast, Agim Ademi, kishte pranuar fajësinë e ishte dënuar me një shumë parash prej mijëra eurove, por që për opinion publik kjo çështje ishte tentuar të mbahej e fshehtë.
Mijëra euro për kompaninë e djalit të Sylejman Selimit
Përfitues i fondeve të FFK-së së drejtuar nga Ademi rezulton të jetë edhe Kompania “MI FIX”, e cila është në pronësi të djalit të ish-anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Sylejman Selimi. Kjo kompani kishte fituar tenderë nga FFK-ja në kohën kur Selimi ishte anëtar i KE-së.
Në bazë të përllogaritjeve përgjatë viteve 2021\22, FFK-ja i ka ndarë hiç më pak se 234 mijë e 143 euro. Sipas të dhënave që ka siguruar AP, këto mjete kompanisë së djalit të Selimit i janë ndarë për rregullimin e stadiumit në Shkabaj dhe në Vitomericë të Pejës.
Por, ndarja e mjeteve financiare nuk është shkelja e vetëm që Ademi e ka bërë në raport me Selimin. Vetë emërimi i tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së – që sipas burimeve të AP-së është bërë drejtpërdrejtë nga Ademi për të shuar zërat kritikë ndaj tij, për shkak të autoritetit që Selimi e ka nga koha e luftës – është në kundërshtim me statutin e FFK-së, përkatësisht nenin 24, pika g.
Ky nen e thotë qartë se nuk mundet të jetë anëtar i asnjë organi të FFK-së dikush që është i dënuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatës.
Prandaj, me emërimin e Selimit si anëtar i KE-së është shkelur statuti i FFK-së, pasi që ai ka qenë i dënuar në vitin 2015 me shtatë vjet burgim për veprën penale “keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës”. Ai u lirua me kusht nga burgu në fillim të vitit 2019 për “sjellje korrekte”
Konflikti i interesit me Mirsad Çollakun, zhvatësin e parasë së FFK-së
Mirsad Çollaku, njëri nga personat më të afërt të Agim Ademit, është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, por kjo nuk i ka penguar atij që ndonëse është pronar i restorantit “Villa Park” në Prizren, t’i paguhen nga paratë e FFK-së restorantit të tij afër 1 mijë euro për dreka e darka që kanë ngrënë zyrtarët e Federatës, thënë ndryshe miqtë e tij.
Për saktësi, “Villa Park” është biznes i regjistruar në emër të Shkëlzen Çollakut – përfaqësues dhe Mirsad Çollaku, me pozitë drejtor.
Por, shkeljet e Çollakut nuk përfundojnë me kaq. Përpos përfitimit të parave nga buxheti i FFK-së për biznesin e tij privat, ai kundërligjshëm ka pranuar edhe pagesa të rregullta si anëtar i KE-së.
Në vitin 2021, Çollaku ka marrë 6 mijë euro, ndërsa pagesa shtesë dhe benificone në emër të kompensimeve të tjera shtesë dhe me vendim të KE-së, ka përfituar edhe 26 mijë e 806 euro e 50 cent.
Në total, përgjatë vitit 2021, Çollaku del që ka marrë plotë 32 mijë e 806 euro e 50 cent nga FFK.
Pra, sipas këtyre të dhënave, Çollaku rezulton që ka përfituar kompensime 546 për qind më shumë se të hyrat bazë.
Por, AP merr vesh se përfitime të tilla Çollaku ka pasur edhe gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2022.
Keqpërdorimi i buxhetit të FFK-së nga Ademi për bileta aeroplani për familjarët dhe punësimi i familjarëve
Pos kolegëve e miqve të tij brenda dhe jashtë FFK-së, Ademi ka shpërblyer edhe familjarët e tij.
Ai dyshohet se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së, për të paguar biletat e aeroplanit “VIP” (më të shtrenjtat) për familjarët e tij, konkretisht për djalin dhe bashkëshorten.
Me buxhetin e FFK-së, me datë 04.02.2021, në agjencionin “Fly Fast”, Ademi ka paguar bileta të aeroplanit për në vendet arabe në vlerë prej 3 mijë e 900 euro.
Kjo çështje është duke u hetuar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Këto bileta janë shfrytëzuar për vete, djalin e tij dhe bashkëshorten e tij, vajtje – ardhje Prishtinë – Stamboll dhe Katar”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
Se djali i Ademit, këngëtari i njohur me nofkën “Capital T”, ka qenë në këtë periudhë kohore në Dubai është lehtë e verifikueshme. Kjo pasi që ai vet ka publikuar fotografi në rrjete sociale në një prej qyteteve më luksoze të Lindjes së Mesme.
Përveç dyshimit për keqpërdorim të parave për t’i blerë bileta familjarëve, Agim Ademi është përkujdesur që në institucionin ku ai udhëheqë me dorë të hekurt ta punësojë edhe mikun e tij, Indrit Canolli (djali i vëllait të gruas së tij).
Canolli është ekspert financiar në FFK që nga viti 2021. Punën e tij te burri i hallës, Canolli e fillon me pagë prej 850 euro, por që më pas i dyfishohet në 1 mijë e 727 euro. Por, “dhuratat” për të nuk përfundojnë me kaq. Kompensime tjera Indit Canolli i merr shtesë në shumën totale prej 7 mijë e 913 euro për vitin 2021. Po ashtu, ai është caktuar në komision për licencim ku ka marr plus 3 mijë 500 euro shtesë dhe është angazhuar po ashtu edhe në sistemin VAR.
Mijëra euro pagesa nga FFK-ja për analistët që e mbrojnë Agim Ademin në studio televizive
Agim Ademi përveç që ka angazhuar avokatë për ta mbrojtur juridikisht, ai ka edhe shumë të tjerë (jozyrtarisht me këtë profesion) për ta mbrojtur moralisht në opinionin publik.
Ka shumë të ashtuquajtur analistë të sportit, trajnerë, gazetarë sportivë etj, që përdorin mediat televizive dhe ato të shkruara si një trampolinë përmes të cilës ata mbrojnë “liderin suprem” të FFK-së, Agim Ademin.
Por, të dhënat që ka AP, tregojnë që kjo mbështetje e tyre nuk vjen falas.
Njëri nga ta është nënkryetari i klubit fubollistik Trepça, Avni Haxhiu. Ai njihet si një mbështetës i hapur i Ademit nëpër emisione televizive – i cili me krenari para disa ditësh ka thënë se e ka votuar Ademin për ta udhëhequr FFK-në për disa herë, dhe një gjë të tillë do ta bënte sërish.
Por, përfituese e fondeve të FFK-së rezulton që të jetë një familjare e ngushtë e Haxhiut.
Kompania në pronësi të vajzës së tij për shpedicion me emrin “ARS SHPED SHPK”, ka përfituar disa tenderë nga FFK-ja përgjatë vitit 2021. Shifra totale është 23 mijë e 484 euro e 56 cent.
Përfitues i 6 mijë e 156 eurove në vitin 2021 nga FFK-ja e drejtuar nga Ademi është edhe analisti tjetër sportiv në televizionin “ATV”, Arsim Prepolli. E çuditshmja në të gjithë situatën me Prepollin është se nuk dihet se për çfarë është paguar.
Albanian Post ka kontaktuar me Prepollin, mirëpo i njëjti ka refuzuar që të përgjigjet.
“Ju a jeni prokuror a çka? Hajt kaloni mirë”, ishte përgjigja e tij e shkurtër e cila u përcoll me doza të nervozizmit.
3 mijë euro i janë transferuar nga kontoja e FFK-së edhe analistit të sportit në “Klan Kosova”, Arben Zeqirit, në vitin 2021.
Ish-futbollistit gjilanas i janë dhënë këto mjete gjoja për Shoqatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve në Kosovë e cila nuk është funksionale fare.
FFK paguan kryetarin e “Dardanëve”, tifozëve të Kosovës
Kryetarët e grupeve të tifozëve të ekipeve kombëtare të futbollit në rrallë vende të botës paguhen (për të mos thënë askund). Ata zakonisht janë vullnetarë dhe udhëheqin tifozët nga pasioni i tyre për ekipin kombëtar.
Por, kjo nuk ndodh edhe me liderin e “Dardanëve”, Lulzim Berisha, pasi që merr pagë mujore nga FFK, në shumë prej 700 eurosh.
Sipas të dhënave bankare që posedon AP, Berisha gjatë vitit 2021, është paguar nga thesari i FFK-së me plotë 9 mijë e 977 euro, ku përfshihen paga dhe kompensimet, duke mos u specifikuar se për çfarë është kompensuar.