×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Afron afati për ndalimin e rrjetit TikTok në SHBA

    FrontOnline
    09 Janar 2025

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka përshpejtuar procedurën për dëgjimin e argumentave verbale për padinë e ngritur nga kompania kineze ByteDance, në pronësi të së cilës është rrjeti social TikTok. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, kompania e ka paraqitur këtë padi ndaj një ligji të ri të Kongresit amerikan që do ta ndalonte këtë platformë të medias sociale, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

    TikTok-u, platforma më e njohur e mediave sociale në Shtetet e Bashkuara, është bërë pjesë e kulturës amerikane. Por pronësia e saj kineze dhe qasja e mundshme e Pekinit tek të dhënat e shumta personale, si dhe aftësia për të ndikuar opinionin publik për përdoruesit amerikanë, e shtyu Kongresin ta ndalonte atë.

    Kjo ndodhi pavarësisht se drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, u bëri thirrje përdoruesve amerikanë të platformës së tij që ta kundërshtojnë legjislacionin e ri.

    “Mbroni të drejtat tuaja kushtetuese. Bëjini zërat tuaj të dëgjohen”, bëri thirrje zoti Shou.

    Nëse nuk ndryshon diçka nga një vendim i Gjykatës së Lartë, kompania kineze ByteDance, që zotëron TikTok-un, do të humbasë qasjen në tregun e saj më të madh më 19 janar, vëren profesori i juridikut në Universitetin e Minesotës, Alan Rozenshtein.

    “Nëse supozojmë se Gjykata e Lartë do ta mbështesë ligjin, dhe nëse administrata e re Trump nuk gjen një zgjidhje tjetër – që dyshoj se do të jenë në gjendje ta bëjë – do të duhet që ose të shitet TikTok-u, ose të përballet me një ndalim në Shtetet e Bashkuara”, thotë profesori Rozenshtein.

    Presidenti Joe Biden dhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump e kanë mbështetur masën e ndalimit.

    Por zoti Trump shprehu një ndryshim mendimi kohët e fundit, pasi videot e tij të fushatës gjatë zgjedhjeve patën rezultate të mira në TikTok.

    “Më sollën një grafik dhe ishte një rekord. Ishte kaq i bukur për t’u parë. Dhe ndërsa e shikoja, thashë: ‘Ndoshta duhet ta mbajmë këtë për pak kohë’,” tha zoti Trump.

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dëgjon të premten apelimin e kompanisë së mediave sociale.

    Gjyqtarët do të peshojnë argumentin e sigurisë kombëtare përkundër garancive kushtetuese të fjalës së lirë për filialin amerikan të kompanisë ByteDance dhe 170 milionë përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, shpjegon profesori Rozenshtein.

    “Ky është njëri dimension i konfliktit. Por në një kuptim tjetër, është gjithashtu një luftë brenda vetë fjalës së lirë, sepse një gjë që qeveria po argumenton është se një nga rreziqet e zotërimit kinez të TikTok është se qeveria kineze do të jetë në gjendje të manipulojë algoritmin dhe për këtë arsye të shtrembërojë vetë mjedisin e fjalës së lirë”, thotë profesori Rozenshtein.

    Investitori kanadez Kevin O’Leary thotë se e ka informuar Presidentin e zgjedhur Trump se është pranë arritjes së një marrëveshjeje për të blerë aksionet amerikane të TikTok-ut, gjë që do ta shpëtonte atë nga ndalimi.

    “Doja ta informoja atë dhe anëtarët e tjerë të kabinetit për atë që po bëjmë dhe se do të na duhet ndihma e tyre”, tha zoti O’Leary për kanalin televiziv Fox News.

    Presidenti i zgjedhur Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta pezullojë çështjen, në mënyrë që ai të mund të negociojë një shitje të platformës, pas inaugurimit të tij të dytë më 20 janar – një ditë pasi do të ketë hyrë në fuqi masa e ndalimit. /VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina është duke negociuar me ShBA-në për të marrë licencat për prodhimin e sistemeve të mbrojtjes...
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni (lex. Xhorxha) thotë se vendi i saj është gati për nisur dërgimin e emigrantëve në qendrat e...
    Bota/Rajoni09 Janar 2025
    Banorë të lagjes së mirënjohur ‘Holliwood Hills’ në Kaliforni u evakuuan të mërkurën në mbrëmje pasi zjarri u përhap edhe në atë...
    Të tjera
    Zgjedhjet 202509 Janar 2025
    Kandidati i LDK’së për kryeministër, Lumir Abdixhiku thotë se partia e tij do të marrë fitore nga mërgata edhe në votim, sikurse...
    Lajme09 Janar 2025
    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të...
    Vip09 Janar 2025
    Rovena pati një pyetje pikante ndaj Xhenetës në lojën e organizuar nga “Prishtina Mall”. Xheneta u shpreh se zgjedh të vërtetën teksa...
    Lajme09 Janar 2025
    Europen Democrat Students, organizata më e madhe studentore Europiane, i ka dalë në mbështetje, kandidatit për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës,...
    Zgjedhjet 202509 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sonte në qytetin e Gjilanit...
    Zgjedhjet 202509 Janar 2025
    Kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza është shprehur optimist për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurti. Ai është shprehur i bindur...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.