Instanca më e lartë gjyqësore, Gjykata Supreme, këtë të mërkurë (26.03.2025) pritet të dal me vendime mbi ankesat e subjekteve politike, për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u shpallën nga KQZ. Meqenëse ankesat e Vetëvendosjes ndaj vendimit të PZAP-së, janë dorëzuar të premten, këtë të mërkurë bëhen katër ditë pune, për shqyrtimin e këtyre ankesave, çka përbënë afatin e fundit për vendim mbi to.
Lëvizja Vetëvendosje s’la derë pa u ankuar për rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Nga PZAP e deri te Gjykata Supreme. Deri tash krejt veç ‘pretendime pa prova’. Ndërkohë, LDK-ja nuk u ankua për VV-në në ndonjë instancë. Por, shpërndarja e disa videove nga anëtarë të kësaj partie, mbi dyshimet se Vetëvendosje manipuloi në zgjedhjet e 9 shkurtit bëri që Prokuroria t’a autorizoj policinë e Kosovës, për të mbledhur prova në lidhje me dyshimet për keqperdorime.
“Lidhur me pyetjet të cilat i keni parashtruar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton se ka lëshuar autorizim organeve të policisë për mbledhjen dhe grumbullimin e të gjitha informacioneve në lidhje me ngjarjen aktuale” – u përgjigj Prokuroria
PZAP rrëzoi të gjitha ankesat
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar të gjitha ankesat sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 9 shkurtit nga KQZ-ja. Pasi në PZAP-ja refuzoi ankesat, tashmë është konsumuar edhe kjo procedurë. Ajo që ka mbetur është se nëse të pakënaqurit me këtë vendim, pra Vetëendosja e dërgon në Gjykatë Supreme lëndën, për të cilën ka afat 48 orë. Nëse kjo ndodh Supremja ka 96 orë në dispozicion për të nxjerrur një vendim. Pra, jemi veç edhe një hap larg certifikimit të rezultateve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ankesat e VV-së
Asnjë provë të vetme…supozime…e pabazuar.
Kështu e gjeti verdiktin e vet ankesa më e përçudshme deri më sot e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me kërkesën për rinumërim të mbi 40 vendvotimeve në lidhje me votat e Bedri Hamzës të PDK-së.
Në ankesë Vetëvendosja vendvotimet i shkroi krejt “në Skenderaj” ndërsa asnjë prej tyre nuk ishte në Skenderaj – për çka del të ketë dërguar plotësim të ankesës, se ky ishte “një gabim teknik…i përvjedhur”.
E paargumentuar, e pabazuar – rrjedhimisht “refuzohet”, ishte vendimi i PZAP-së karshi kësaj ankese të LVV-së, që bërtiste qëllim tjetër: thjesht shtyrje indefinitivisht të certifikimit të rezultatit.
Rrëzimi i ankesës së VV-së ndaj LDK-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kërkuar anulimin e rezultatit të votimit me postë për subjektin politik Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në vendimin e PZAP-së, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, vlerësohet se ankesa e partisë në pushtet ka qenë e pabazuar.
Sipas vendimit, partia e Albin Kurit nuk e ka sjell asnjë provë për anulimin e këtyre votave.
“Refuzohet e pabazuar ankesa A.nr.641/2025 e datës 17.03.2025 e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje me seli në Prishtinë, paraqitur kundër vendimit të KQZ-së me Seli në Prishtinë, nr.01/727-2025 të datës 15 mars 2025, për Shpalljen e Rezultateve Përfundimtare për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të datës 01.02.2025, në të cilën ka kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për subjektin politik Lidhja Demokratike të Kosovë, gjithsejt 18 mijë e 933 vota dhe këto vota të largohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ta udhëzoj KQZ-në që të përsërisë votimin me postë në tërësi si dhe t’i largoj nga lista e kandidatëve prej subjektit politik LDK kandidatët e cekur me emër e mbiemër, për shkak të manipulimit të votave të ardhura me postë dhe të mos e lejojnë subjektin politik LDK t’i zavendësoj kandidatët e larguar”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Më tej, në arsyetimin e vendimit thuhet se partia nuk pushtet nuk ka sjell prova bindëse në argumentimin e ankesës së saj.
PAZAP-ja ka vlerësuar se anulimi i rezultatit të votimit me postë dhe përsëritja e tij duhet të mbështetet në dëshmi të qarta.
“Në raport me këto pretendime në ankesë me asnjë provë bindëse nuk i ka dëshmuar se mbi cilat shkaqe e kërkon një gjë të tillë, pasi që anulimi i rezultatit të votimit me postë dhe përsëritja e tij duhet të mbështetet në dëshmi të qarta për manipulim, qoftë me rastin e dorëzimit apo me rastin e numërimit, e të cilat shkaqe parashturuesi i ankesës ka dështuar që t’i argumenotj”, është thënë në arsyetimin e vendimit.