×
  • Lajme
  • Lajme

    “Abuzonte seksualisht me djalin tonë”, Suzana tregon si e goditi 11 herë me sëpatë burrin e saj

    FrontOnline
    07 Nëntor 2020

    Suzana Zogiani-Sekiraqa, më 21 shtator 2018, në qytetin Dole të Francës, u ka dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti Artan Sekiraqa, duke e goditur atë 11 herë me sëpatë në qafë.

    Ajo thotë se vrasjen e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre. Zogiani-Sekiraqa e konsideron të padrejtë dënimin prej 25 vjetësh burgim. Thotë se trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj dhe të djalit për abuzimin.

    Një zë i përvajshëm ia prishi gjumin Suzanës. Banesa ishte e vogël dhe dy fëmijët flinin në dhomën e ndejës. Hapi ngadalë derën të shihte në mos ëndrrat e tyre po ua trazonte ndonjë “përbindësh”. Pa se djali nuk ishte në shtrat, kurse vajza po flinte gjumë.

    Zërat që dëgjonte e ndillnin të ecte drejt banjës, ku nga pragu i derës vërehej dritë. E hapi derën ngadalë. Skena që pa e shtangu. Këmbët iu këputën dhe nuk mund të ngopej ajër. Krejt çka donte ishte të ikte, të zhdukej diku, kudo.

    Mori atletet dhe ashtu siç ishte në rroba nate u nis vrap nga dera e hyrjes. Rrotulloi çelësin dy herë dhe sapo ngrehu rezen (dorezën) dhe provoi të dilte, ndjeu dorën e tij ta kapte për flokësh dhe ta tërhiqte brenda. “Ku don me shku, atje ku je mësu me shku gjithmonë apo (në polici v.j.)?”, i tha.

    Shikimet e tyre u kryqëzuan dhe për disa sekonda ata mbetën duke u shikuar pa folur asnjë fjalë. Gjithçka ia thanë njëri-tjetrit me sy. Ajo tronditjen dhe habinë se si kishte devijuar aq shumë, ai frikën dhe inatin që ishte kapur duke kryer një akt të tmerrshëm abuzimi mbi frytin e parë të dashurisë së tyre.

    Duke e tërhequr zvarrë për flokësh e uli në karrige pranë tavolinës së kuzhinës. Suzana shpërtheu në akuza, sharje, britma. Artani filloi ta godiste me grushte nga mbërrinte, ashtu siç kishte bërë me vite. Kur shfreu mirë mbi të filloi t’i përgjërohej që ta falte. I kërkonte ta shtrëngonte shumë. Nga frika Suzana ia hodhi duart rreth qafës dhe i tha se ia kishte falur. Por ta shtrëngonte nuk mundte dot.

    “Si mund ta shtrëngoja njeriun që më përballi me ndjenjën më të keqe në botë. Nuk e kam imagjinuar kurrë se do të përjetoja diçka të tillë…Sikur ta kishte bërë ndonjë njeri i huaj ndoshta do të mund ta pranoja disi. Por ta bëjë njeriu me të cilin unë lidha jetën, i bëra dy fëmijë, sakrifikova aq shumë që t’i ndihmoja edhe kur familja e tij hoqën dorë prej tij…Krejt çka ndieja ishte urrejtja”, rrëfente Suzana në një ditë tetori, ndërsa lotët i rridhnin faqeve pa ndalur.

    Lotët nuk iu ndalën as atë natë të 20 shtatorit 2018. E qullosi me lot jastëkun derisa e zuri gjumi që nuk i zgjati më shumë se dy orë, e shtrirë afër të shoqit. E zgjoi kërcëllima e derës së dhomës dhe si në hije pa Artanin teksa i afrohej me sëpatë në dorë. “A je normal?!!!”, bërtiti. E goditi me shqelm në organet gjenitale dhe ai u përkul nga dhimbjet. Arriti t’ia merrte sëpatën dhe e goditi në duar, duke ia shkaktuar nga një prerje në të dyja duart. Artani u ngrit dhe filloi kacafytja. “Sytë i kishte të skuqur gjak. Provova të largohem, sepse e pashë se nuk do të më shqitej. Isha e frikësuar për jetën time. E di se e kam goditur edhe një herë në zverk dhe ai është rrëzuar në dysheme. Tjerat nuk më kujtohen, nuk isha më vetvetja, isha e mpirë”, thotë Suzana.

    Në ato çaste të tronditjes mendore e para gjë që i ra në mend ishte të largohej nga shtëpia. Meqenëse ishin duke bërë meremetime në banesë – për ç’arsye edhe ishte blerë sëpata – ajo i mbante disa nga rrobat në valixhe. Por, të vetmet gjëra që i futi në çantën e dorës ishin pasaportat e saj dhe të fëmijëve.

    “Kam qenë e tronditur, duart më dridheshin, mezi e shënoja adresën në GPS. Nuk më ka rënë në mend t’i marr as stolitë e arit. Doja të ikja sa më shpejtë, t’i çoja fëmijët te nëna ime në Kosovë. Se çfarë do të ndodhte me mua as që e kam menduar”, thotë Suzana.

    Fëmijëve u tha se po shkonin te gjyshja, sepse ka ndodhur diçka shumë e keqe. Por djali e dinte se çfarë kishte ndodhur.

    “Mam, unë e di çka ka ndodhë. E kam pa krejt, po jam ba kinse po flej. Jam friku mos po vjen (babai v.j.) e po na bën diçka edhe neve dyve. Ja kam mbulu motrës kryet me jorgan”, i kishte thënë djali. Tri ditë e tri net kishte vozitur Suzana derisa kishte mbërri te familja e saj në Prishtinë.

    Pesë vjet dhunë, drogë e abuzime

    Ëndrra e ambicie të tjera për veten e familjen pati 35-vjeçarja nga Prishtina, Suzana Zogiani-Sekiraqa, kur më 2010 arriti në Francë me djalin. Artani iu bashkua atyre tre muaj më vonë. Suzana përpiqej që të mësonte në nivel akademik gjuhën frënge nëpërmjet kurseve dhe njëherësh vijonte studimet për psikologji në universitet. Ishte martuar në moshën 19-vjeçare dhe ëndrrat për të vazhduar shkollimin i kishin mbetur në gjysmë. Tre vjetët e parë të jetës në Francë për çiftin Sekiraça ishin muaj mjalti që nuk e patën në Kosovë, shkaku i problemeve me familjen e Artanit.

    Dy javë pas lindjes, djali i tyre kishte pësuar një aksident. Motra e Artanit e kishte përplasur për dyshemeje. Pasojat e rrëzimit për djalin ishin të rënda.

    Atij i ishte krijuar një tumor në kokë dhe u ishte nënshtruar dy intervenimeve kirurgjike. Gjendja e tij shëndetësore ishte përmirësuar, por problemet e Suzanës e të Artanit me familjen jo. Ato ishin një ndër arsyet që ata kishin migruar në Francë ilegalisht.

    Por idili familjar u shua pak para lindjes së vajzës. Artani papritur filloi të ndryshonte sjelljet. U lidh me një grup trafikantësh të drogës (arabë, algjerianë etj.) dhe pos që e shiste edhe e konsumonte drogën. Iu kthye edhe zanatit të hajnisë të nisur që në rini në Kosovë, e që Suzana e kuptoi tek pas martesës.

    Kur e kaplonte kriza e drogës, Artani bëhej i dhunshëm si në shtëpi ashtu edhe në publik. Nga dhuna nuk i kursente as fëmijët. Edhe pse e dinte gjendjen e ndjeshme shëndetësore të të birit, ai e godiste edhe në kokë, ku atij gjatë operimit i ishte vendosur pompa intracerebrale.

    Për shkak të dhunës dhe me qëllimin që ta mbante Artanin larg rrjetit të trafikantëve të drogës, Suzana detyrohej të ndërronte shpesh adresat e banimit. Qetësi në familjen Sekiraqa kishte vetëm në periudhat kur Artani e merrte terapinë e shërimit nga droga. Kur e ndërpriste, dhuna mbi fëmijët dhe Suzanën shtohej. Në një rast iu kërcënua me thikë, e një tjetër me armën që i pati thënë se e kishte blerë nga një italian.

    Krizat nervore të bashkëshortit, që pasonin me veprime të dhunshme, e detyronin Suzanën ta denonconte shpesh në polici. Artani nuk e respektonte as urdhrin e gjykatës që ia ndalonte t’u afrohej Suzanës e fëmijëve. I përcillte dhe i vëzhgonte ngado.

    “Patëm dalë me fëmijët në park dhe na hyri në veturë. Më kapi me dy duart për fyti dhe për pak sa nuk më ngufati. Fatmirësisht aty kaluan dy policë dhe kur na identifikuan i thanë se e ka thyer urdhrin dhe e burgosën. Djali u tha policëve se ata janë heronj se ia shpëtuan mamin”, rrëfen Suzana ngjarjen e rëndë.

    Dhuna e problemet që ia sillte bashkëshorti e futën Suzanën në depresion dhe ajo filloi trajtimin me medikamente. Përjetimet e saj nuk ia tregonte familjes në Kosovë. E mbante shpresa se Artani do të këndellej dhe jeta e tyre një ditë do t’i kthehej normalitetit.

    Në korrik 2018, Gjykata e Lionit e dënoi Artanin me lirim me kusht nga burgu. Për dy vjet ai do të ishte nën përcjellje dhe vëzhgim të policisë. Para gjyqit Artani kërkoi falje për veprimet e veta dhe premtoi se do ta merrte terapinë e do të kujdesej për familjen. Suzana ia dha edhe një shans. “E fala hatri i fëmijëve, sepse doja që ata të rriten me të dy prindërit”, arsyetohet Suzana.

    Por Artani nuk përmirësohej. Gënjente se po shkonte në seanca te psikiatri dhe bëhej gjithnjë e më agresiv. Sado që Suzana përpiqej ta bindte që të kthehej në rrugë të mbarë, ai vazhdonte konsumimin e shitjen e drogës, hajninë e punë të tjera të paligjshme, si falsifikimi i pasaportave. Dhuna fizike e Artanit ndaj Suzanës do të kulmonte më 3 shtator 2018, kur do ta godiste me mjete të forta e do ta përplaste me kokë për orën e murit dhe ajo do të përgjakej nga xhami.

    Suzana nuk mund ta duronte më gjithë atë dhunë. Jeta e saj dhe e fëmijëve ishte në rrezik. Vendosi të shkurorëzohej. Por divorcin nuk do ta arrinte ashtu siç e mendoi.

    11 goditje me sëpatë

    Banorët e ndërtesës 39A në “Grande Rue”, në qytetin Dole në lindje të Francës, ku banoi për tre muaj familja Sekiraqa, ishin tronditur nga tragjedia. Por edhe nuk ishin befasuar, sepse Artani ishte arrogant edhe me fqinjët. “Zotëria që banonte atje lart është fjalosur me të gjithë fqinjët dhe ju ka kërcënuar fqinjëve se ‘nëse nuk jeni të kënaqur me mua ua këpus kokën’”, i ka deklaruar televizionit “France3” një fqinje e moshuar franceze, duke e afruar shuplakën e dorës tek fyti sikur kur e pret me thikë.

    Pas arratisjes së Suzanës nga banesa në papafingo, nuk hyri as doli askush. Më 29 shtator 2018, pronari i banesës së lëshuar me qira trokiti në derë, por askush nuk e hapi. Një kundërmim i rëndë po vinte nga andej. Kur policia e hapi derën me forcë në njërën nga dhomat e priti një skenë e rëndë krimi. Mure të stërpikura me gjak dhe një trup i dekompozuar mashkulli, i shtrirë përmbys me kokën që ia mbante lidhur për trupi vetëm një shtresë e hollë mishi e lëkure.

    Suzana thotë se nuk i kujtohet se sa herë i ka rënë me sëpatë të shoqit, por në raportin e autopsisë së mjekësisë ligjore franceze thuhet se e ka goditur 11 herë.

    Pesë ditë pas mbërritjes në Kosovë, Suzana ishte dorëzuar në Ambasadën franceze në Prishtinë dhe ua kishte rrëfyer ngjarjen. Ka kërkuar që ta kthejnë në Francë. Por ekstradimi nuk iu bë i mundshëm. Sipas autoriteteve franceze, meqenëse Suzana ishte në vendlindje duhet të gjykohet aty. Nga 5 tetori 2018 ajo mbahet në Burgun e Grave në Lipjan. Intervista për “Kohën” është realizuar aty.

    Që ta shmangin konfliktin e mundshëm mes familjeve Zogiani e Sekiraqa, fëmijët e Suzanës i mori nën përkujdesje shteti. Për shkak të pandemisë, fëmijët nuk kanë mundur ta vizitojnë me muaj në burg. Ka mall dhe vuan shumë për ta. Edhe ata e përballojnë vështirë ndarjen nga e ëma.

    “Kur vajza erdhi në vizitë m’i puthte duart, hundën ballin…Djalin nuk e kam parë ka tetë muaj. Kur flas me të në telefon më thotë: ’Mam a të kujtohet kur isha i vogël në çerdhe e merrja shallin tënd që t’i marr erë se më mungoje shumë. E tani po më duhet të jetoj pa të parë me muaj’”.

    Gjykata nuk e ekzaminoi djalin, vlerësoi se edhe “Hiçkoku do t’ia kishte zili Suzanës për imagjinatën”

    Gjykimi i Suzanës ka zgjatur rreth një vit. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur atë fajtore për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe ia ka shqiptuar dënimin prej 25 vjetësh burgim. Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë. Suzana e konsideron të padrejtë dënimin dhe ka shumë vërejtje për mënyrën se si është trajtuar rasti i saj. “Askush nuk ka marrë mundin ta analizoj rastin tim në thellësi dhe ta zbardhë të vërtetën dhe rrethanat që më çuan tek vrasja”, thotë ajo.

    Gjykata e ka vlerësuar pjesërisht të besueshme dëshminë e djalit duke marrë parasysh vetëm deklaratat e tij për raportet e këqija mes prindërve dhe dhunën që ka ushtruar i ati ndaj nënës së tij. Ia ka hedhur poshtë deklarimet për abuzim seksual nga babai. Trupi gjykues i ka cilësuar të sajuara pohimet e Suzanës.

    “Pretendimi i të akuzuarës Suzana se ka vepruar në gjendje të tronditjes së rëndë mendore, nga këndvështrimi tjetër, pra kinse abuzimi i të ndjerit me fëmijën e vet, absolutisht nuk qëndron, pasi një gjendje e tillë e fakteve nuk është vërtetuar me asnjë provë personale e materiale, e ku edhe vetë i mituri, i cili gjatë dhënies së dëshmisë, ndër të tjera, ka theksuar se ka qenë duke fjetur, nuk ka dëgjuar asgjë, për faktin se e ka gjumin e rëndë, përderisa vetë e akuzuara rrëfen një ngjarje të paqenë, kinse me abuzimin e të miturit, e që vërtet edhe Hiçkoku (Alfred Hitchcock, regjisor anglez i filmave horrorë v.j.) do t’ia kishte zili asaj për ndërtimin e një skenari të tillë imagjinar”, ka konstatuar trupi gjykues në aktvendim.

    Djalin e ka marrë në pyetje një punëtor social dhe nuk i është bërë asnjë ekzaminim fizik e as psikiatrik. Suzana i ka shkruar letra gjykatës me kërkesën që fëmijët të ekzaminoheshin dhe që të tretë të trajtoheshin nga psikologët. Kërkesa e saj nuk është marrë parasysh.

    Nga Rubrika
    Lajme16 Nëntor 2024
    Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, ka falënderuar pjesëmarrësit e takimit të djeshëm në Skenderaj. Ajo tha se “Drenica gjithmonë ka ditur të...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Ish shefi i stafit të kongresistit amerikan, Eliot Engel, dhe bashkautor i një raporti për Kosovën, Jason Steinbuam, ka shprehur qëndrimin se...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën “Ahmet Kaçiku”. Rastin...
    Të tjera
    Sport16 Nëntor 2024
    Kombëtarja e Shqipërisë është duke luajtur ndaj Çekisë në UEFA Nations League, raundi i pestë. Kujtojmë që ndeshja është duke u zhvilluar...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Sekretari organizativ i Rinisë Demokratike të Kosovës, Trim Syla, ka publikuar një parullë, pas skandalit me 100 mijë euro grant, për vëllain...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në Augsburg të Gjermanisë, vlerësoi lart kontributin e diasporës kosovare, duke e paraqitur atë...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ishin sonte në Pejë. Lidhur me këtë, Kurti thotë...
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    Ekonomia e Shqipërisë vazhdon trendin e rritjes, e nxitur nga konsumi privat dhe një sezon i mirë turistik dhe gjatë vitit të...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Nerodimes, Shukri Buja, ditë më parë ka marrë konfirmimin se Prokuroria ka mbyllur të gjitha...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.