Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka prezantuar 100-ditëshin e punës në Qeverinë Hoti.
Ai ka thënë se problemi i shpronësimit është kryesor në ngecjen e projekteve infrastrukturore, teksa thotë se me ardhjen në krye të ministrisë ka gjetur rreth 300 projekte aktive të qeverive të kaluara që nuk janë përfunduar.
“Tek punët e ministrisë, i kemi gjetë diku 300 projekte aktive që kanë probleme financiare, pronësore e teknike që kanë mbetë nëpër sirtar disa me muaj e disa për vite. Për t’i trajtuar ato kemi krijuar task-forcë që t’i analizojmë dhe t’i japim zgjidhje. Kjo punë ka filluar të vihet në binarë dhe disa janë mbyllur”, tha ai.
Projekti për rrugën në Podujevë është një nga ato që kanë ngecur si shkak i shpronësimit ka thënë Abrashi, duke shtuar se ky projekt do jetë pjesë edhe e buxhetit të vitit të ardhshëm.
“Problemi më i madh që del jashtë sferës së ministrisë, kemi kërku ndihmë nga qeveria ka të bëjë me procesin e shpronësimit. Ka një numër të madh të projekteve që kanë mbetë pezull, për të cilat ka mjete e kontrata por mbeten peng i procesit të shpronësimit. Janë projekte pezull shkaku i këtij procesi, si rruga për Podujevë që hyn në këto projekte”.
Ndërkaq, thotë se po punohet për projektin e nisur për rrugën Prishtinë-Podujevë qe disa vite, edhe pse sipas tij shpronësimi po i sjell pasoja në pamundësimin e kryerjes së punës.
“Po punojmë në dy aspekte, e para është që punët e kontraktuara të vazhdojnë ku kompania ka filluar të punojë, por çdo javë për shkak të projektit të dobët kërkohet ndërhyrje në shpronësim. Ne kemi kërkuar që të punohet në ato zona ku nuk preket shpronësimi. Shpronësimet është problemi më i madh sepse fondi i shpronësime në ministri është shumë i vogël”.“Janë probleme teknike që e kanë pamundësu me u realizu më shpejt ky projekt”, ka thënë Abrashi.
Ndërsa, për projektet e paraqitura në Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë sa i përket infrastrukturës, Abrashi ka thënë se për to ka lëvizje pozitive dhe hapa konkret.
Abrashi thotë se autostrada Besi-Merdare do të nis në pranverën e vitit të ardhshëm.
https://www.facebook.com/FrontOnlineMedia/videos/682260122721019/