Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka postuar në Facebook një pjesë të adresimit të tij në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, ku edhe është miratuar lista e kandidatëve për deputetë.
Në këtë adresim, Abdixhiku ka folur edhe për siç thotë ai propagandën e pushtetit, si dhe polarizimin e shoqërisë.
“|Në këtë Republikë të projeksioneve të tyre, porpaganda është qëllim në vete, gjersa përçarja, ndarja e polarizimi jonë i madh, janë përfundim krejt i zakonshëm, të cilin përfundim – nxitësit e urrejtjes – e shijojnë me plot zell. S’do t’i kuptojë asnjëherë se çfarë dëliri kjo gjendje ju sjellë, por e kam të qartë qëllimin e tyre krejt të thjeshtë. Sa më shumë propagandë, sa më shumë shpifje, sa më shumë ndarje, sa më shumë urrejtje, aq më të dobishme drejt prodhimit të polarizimit shoqëror, që nuk sjellë rezultate por as nuk sjellë shpresë. Prandaj sot, vendi ynë, është bërë vend i zymtë. Prandaj sot ndarja jonë kombëtare, ka arritur nivele të paimagjinueshme historike. E sepse jemi të ndarë kaq shumë, kemi ngecur në vendnumërim, ku hijet e së shkuarës na errësojnë të ardhmen që nuk po e bëjmë dot. Një shoqëri kaq e copëtuar e në kaq urrejtje duhet fillimisht të shërojë veten”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se në asnjë qeverisje nuk duhet të ketë vend përndjekja e gazetarëve e mbylla e mediave.
“Sepse në Republikën tonë, nuk ka vend për një aparat shtetëror, që përdorë inteligjencën për të përcjellë gazetarët. Në Republikën tonë, nuk ka vend për atak institucional e parapolitik ndaj medias, nuk ka vend për mbyllje të mediave, nuk ka vend për sulme jetëkërcënuese ndaj gazetarëve e raportuesve të lirë të një shoqërie të lirë. Nëndija politike ndonjëherë flet shumë, por tek ne flet qartë, kur një pushtet kërkon që lajmet të merren vetëm nga ta, në atë moment, mu në atë moment, ne duhet të kuptojmë se para se të kemi një problem politik, kemi problem të funksionimit shtetar demokratik”.
Po ashtu, ai ka thnëë se në Kosovë nuk duhet të kenë vend as sulmet ndaj drejtësisë, e as korrupsioni e vjedhja.
“Në Republikën tonë, nuk ka vend për sulme ndaj drejtësisë, e kategorizim të saj varësisht se kë ka subjekt; përkrahës pushteti ose jo. Në Republikën tonë, pushteti s’bën drejtësinë, pushteti, sikurse secili tjetër është subjekt i drejtësisë. Askush, asnjëherë për asnjë çmim mbi ligjin! Në Republikën tonë, një Qeveri që shkelë Kushtetutën plot 10 herë duhet të rimendojë intencat shqetësuese që i ka në vete para se të akuzojë secilin përreth. Ne betohemi në Kushtetutë. Ne veprojmë mbi Kushtetutë. Ne jetojmë mbi këtë Kushtetutë. Si e tillë, ajo për Republikën, për ëndërrimtarët e saj është e shenjtë. Nuk shkelet, nuk përdhoset. Kur shkelet, shkelësit duhet të turpërohen jo të mburren e lavdërohen! Në Republikën tonë, korrupsioni, vjedhja e hajnia, duhet të jenë moralisht të gabuara sepse janë veprime të liga, e jo të arsyetueshme sepse krahasohen me të shkuarën. Një akt amoral, vjedhës ndaj shtetit, është i papranueshëm, i dënueshëm, i gjykueshëm jo sepse është më i madh apo më i vogël se ai paraprak – por se thjeshtë është jomoral! Korrupsioni është i tillë. Korrupsioni do të gjykohet si i tillë. I tashmi, i kaluari dhe i ardhmi pa dallim”, ka thënë ndër tjerash ai.
Abdixhiku foli edhe për renditjen e listës, ku tha se “kandidati e bën numrin dhe jo e kudnërta”, duke shtuar se renditja nuk tregon peshën politike të askujt.