Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Ai tha se arsyeja e vizitës në Prekaz është nderimi i familjes së Jasharajve.
“Jemi ardh këtu për të nderuar themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës, për të kujtuar sakrificën e Jasharajve. Ne këtë sakrificë jo vetëm që e nderojmë por na shërben edhe si inspirim për të punuar drejt së ardhmes”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku në Prekaz foli edhe për zgjedhjen e presidentit. Ai tha se kjo parti është konstuktive dhe pro konsolidimit të institucioneve.
“Tani meqë jemi në këtë tempull këtu mesazhi që dua të përçoj është se do të punojmë për interesin e shtetit të Kosovës. Ky interes nënkupton që të jemi konstruktiv dhe të jemi të afërt me njëri tjetrin duke i projektuar idetë tona dhe duke u shërbyer institucioneve të Kosovës. Do të jemi konstruktiv duke i mbrojtur idealet e LDK-së”, ka thënë ai.