Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka pritur sot në vizitë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, e ku diskutuan për mbështetjen ndaj Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Ambasadori Abbott e uroi ministrin Mehaj për marrjen e detyrës duke shprehur vullnetin e tij të plotë për bashkëpunim të ngushtë nga pozitat respektive.
Nga ana e tij, ministri Mehaj shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për Mbretërinë e Bashkuar në ofrimin e mbështetjes së madhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe për të arriturat e përgjithshme. Mbështetjen e deritashme në fushën e arsimimit dhe stërvitjes si dhe forma tjera, Ministri Mehaj e vlerësoi shumë të rëndësishme realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së.
Nga ana e tij, ambasadori Abbott, premtoi se Mbretëria e Bashkuar, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë mbështetjen dhe partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në mënyrë që të realizohen me sukses të plotë objektivat me planet tona të bashkëpunimit bilateral.
Në fund, të dy u pajtuan që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve mike në fushën e mbrojtjes.
https://www.facebook.com/nicholasabbott2019/posts/603006537765523