Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, takoi sot ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin biseduan mbi zhvillimet e fundit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.
Ajo me këtë rast falënderoi diplomatin britanik për vizitën në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe mesazhin e fuqishëm që përçoi atë ditë vizita e tij.
Kryediplomatja kosovare tha se ky mesazh i fuqishëm erdhi në kohën kur Kosova dhe populli i saj po përballen me një qasje revizioniste ndaj vuajtjeve dhe sakrificave të shkaktuara nga gjenocidi serb në Kosovë.
Nga ana e tij, ambasadori Abbott rikonfirmoi që Britania e Madhe mbetet mbështetëse kryesore e Kosovës në të gjitha proceset e shtet-konsolidimit, duke nënvizuar edhe mbështetjen e madhe që i jep çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe kërkesës së vazhdueshme për drejtësi dhe zbardhje të së vërtetës.
Ambasadori Abbott ka nderuar të rënët e familjes Jashari në Prekaz. Ai ka thënë se Britania e Madhe do të qëndrojë prapa intervenimit të NATO-s në Kosovë gjatë luftës, si një veprim i drejtë për të parandaluar katastrofën humanitare në Kosovë dhe për t’ua mundësuar kosovarëve të jetojnë të lirë nga shtypja.
Abott ka cituar edhe ish-kryeministrin Tony Blair duke thënë se Britania e Madhe gjithmonë do të qëndrojë pranë ndërhyrjes së saj si një çështje e drejtë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe për të lejuar kosovarët të jetojnë të lirë nga shtypja.