Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka thënë se buxhetit i vitit 2025 nuk është buxhet i bananeve e i kondomave, por buxhet që duhet të realizojë premtimet e qytetarëve.
Lidhur me këtë, ai thotë se është alarmante se si presidentja Vjosa Osmani tha sot se politikat për katër vjet kanë dërguar drejt përçarjes dhe izolimit të shtetit, andaj shton se kjo qeveri nuk ka vend më në pushtet.
“Dua të tërheq vëmendjen te fjalimi i presidentes sot, që mendoj se është e ndërlidhur pikërisht me kapacitetin për të bërë politika të cilat janë rrënjësisht të gabuara, përçarëse dhe manipuluese nëpërmjet buxhetit të cilin ju po kërkoni ta aprovojmë”, tha Abazi.
“Nuk ka alarm më të madh sesa kur presidentja e vendit tregon qartazi se për katër vjet politikat kanë dërguar drejt përçarjes, drejt izolimit të vendit. Tani pyetja shtrohet se a duhet të ju japim buxhet që të vazhdoni me të njëjtin koncept. Qytetarët duhet ta kuptojnë se ky nuk është buxhet i bananeve, e as i kondomëve, ky është buxhet që duhet të realizojë premtimet e qytetarëve. Ky nuk është buxhet i Fahrije Hotit kundrejt Fitore Pacollit, që familjarët e Pacollit marrin grante e subvencione për shkak se e njohin ministrin. Turp. Duhet të dilni dhe tu tregoni qytetarëve pse po vjedhni buxhetin e shtetit”.