Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk pritet ta përkrahë ndonjë kandidat tjetër për postin e presidentit, veçse propozimin e tyre, Ramush Haradinajn.
Kështu ka thënë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj.“Ne po duhet ta përsërisim qëndrimin tonë. Ne kemi kandidatin për këtë post, e ai është Ramush Haradinaj”, ka thënë Selmanaj për GazetaBlic.
Më tej, deputeti i AAK-së kur është pyetur se a do të pranojë kjo parti ndonjë kandidaturë nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se AAK pret që ketë një pajtueshmëri brenda koalicionit për t’u votuar Haradinaj për të parin e shtetit.
“Presim që të na përkrahin qëndrimin tonë”, ka thënë Selmanaj.
Në anën tjetër, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tashmë i ka bërë një vend PDK-së në Qeverinë Hoti, derisa ka shtuar se posti i presidentit do t’i takojë kësaj partie.
Mustafa në pyetjen se a e pranon LDK parterin e saj, Ramush Haradinajn për President, ka thënë se kjo pozitë i takon partisë së tretë me radhë, në këtë rast PDK-së.
“Nuk e kemi diskutuar në mënyrë shprehimore çështjen e Presidentit në organet vendimmarrëse të LDK-së. Vlerësojmë se vendit dhe demokracisë i bën mirë një ndarje e lehtë e përgjegjësive më të larta shtetërore. Vetëvendosjes i takon pozita e Kryeparlamentarit/es sipas Kushtetutës si parti që ka dalë me një deputet më shumë se LDK në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ka Kryeministrin dhe pozita e Presidentit do t’i takonte partisë me radhë më të fuqishme në Kuvend. Por çdo gjë mund të ndryshojë me një marrëveshje të gjerë, e cila siguron pjesëmarrjen aktive të dy të tretave në votim në Parlament dhe jo vetëm vullnetin e koalicionit qeverisës apo të një pjese” , ka thënë Mustafa.
Duhet potencuar se përçarje mes LDK-së dhe AAK-së për këtë, por edhe për çështje tjera ka pasur edhe më parë.