Kosova aktualisht është në mesin e shteteve të Evropës me numër të vogël të të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen e COVID-19.
Kështu tha Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për Radio Evropën e Lirë.
Sipas tij, Kosova e ka kaluar valën e dytë gjatë muajve korrik e gusht, ku numri i të infektuarve dhe vdekjeve nga kjo sëmundje ka shënuar numër rekord.
Ndërkaq, me ftohjen e motit dhe grumbullimin e njerëzve në ambiente të mbyllura, Raka tha se është shumë e rëndësishme që të mbahet distanca, maska dhe higjiena personale, në mënyrë që të mos kemi shtim të numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus.
“Aktualisht Kosova është në mesin e shtatë shteteve të Evropës me numrin më të vogël të rasteve të regjistruara në dy javët e fundit. Pra, jemi me numrin më të vogël të të infektuarve në 100 mijë banorë. Kjo situatë epidemiologjike e favorshme për momentin është lajm shumë i mirë në kohën kur jemi futur në sezonin dimëror, prej fillimit të tetorit dhe kemi edhe sfida tjera që do përballemi”, ka thënë ai.
Se a është Kosova e përgatitur për rikthimin e rasteve më të mëdha dhe a ekziston rreziku që edhe në Kosovë të rriten rastet me koronavirus, Raka ka theksuar se mendon se jemi të përgaditur.
“Mendoj se jemi përgatitur pasi është shfrytëzuar në maksimum kjo situatë epidemiologjike gjatë gjithë pandemisë me COVID-19, edhe me teste edhe me staf edhe me kapacitete shëndetësore, por edhe me vetëdijesim, pasi që e kemi parë që vetëdijesimi është një proces kudo në botë. Vetëdijesimi është faktor i besimit mes popullatës dhe autoriteteve që zbatojnë dhe mbikëqyrin masat, dhe rezultatet nuk do të mungojnë. Gjatë kësaj kohe është shfrytëzuar ngritja e kapaciteteve shëndetësore dhe problemeve që jemi ballafaquar muajt e kaluar, siç ka qenë aspekti teknik si problemi me oksigjen e që ndërkohë është evituar dhe kjo kohë është shfrytëzuar për sigurimin e më shumë shtretërve që të gjitha së bashku sigurojnë që përballja me faktorët që rrezikojnë rritjen e numrave të jetë më i suksesshëm dhe më i menaxhueshëm”, ka thënë ai.