“Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thuhet në nenin 96 të Kushtetutës së Kosovës.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe në rast se Lista Serbe refuzon të nominojë kandidatët për ministra në Qeverinë Kurti 2, ky subjekt nuk mund ta bllokojë procesin e formimit të qeverisë së re.
“Ata mund ta bllokojnë (Albin) Kurtin që të zgjedhë një emër tjetër nga radhët e komunitetit serb, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por nuk mund ta bllokojnë procesin pasues, atë të votimit të qeverisë, e cila mund të zgjedhet nëse i merr 61 vota, pavarësisht se të cilit komunitet janë”, tha Kryeziu.
Sipas tij, Lista Serbe nuk ka zgjidhje tjetër pos që të emërojë kandidatët e saj.
“Kjo është e drejtë e tyre kushtetuese dhe duhet ta shfrytëzojnë. Për matematika të tjera e lojëra politike nuk jam i njoftuar, por krejt çka mund të bëjnë është që të lënë bosh dikasteret ministrore”, shtoi Kryeziu.
Por, ligjëruesi i Sociologjisë, Artan Muhaxhiri thotë se një qeveri mund të jetë kushtetuese, vetëm nëse përbëhet edhe nga komunitetet joshumicë. Ai e sheh problematike edhe fuqinë e Listës Serbe, pasi konsideron se ky subjekt ka arritur të “manipulojë edhe një pjesë tjetër të komuniteteve pakicë”.
“Fuqia politike dhe pushteti real i Listës Serbe është rritur shumë dhe është pak e besueshme që kjo Listë, e instrumentalizuar nga Beogradi, nuk do të tentojë që ta maksimalizojë pushtetin e saj”, tha Muhaxhiri
“Nëse Lista Serbe edhe zyrtarisht mban qëndrimin se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti, atëherë unë shoh probleme të mëdha kushtetuese për themelimin e Qeverisë së re të Kosovës. Duke i ditur edhe qëndrimet e zotit Kurti në raport me Listën Serbe, ka një antagonizëm ekstrem dhe është e pritshme që të ketë probleme të konsiderueshme në plotësimin e obligimit kushtetues, që është përfaqësimi politik i pakicës serbe në Qeverinë e Kosovës”, shtoi Muhaxhiri.