Ambasadori austriak në Kosovë, Christoph Weidinger ka thënë se shteti i tij do të mbështesë kosovarët në rrugën europiane, duke theksuar se sulmi terrorist në Vjenë është një sulm që i është bërë qytetarëve nga disa terroristë dhe nuk ka të bëj me kombësinë e tyre.
I pyetur nëse sulmi terrorist që tmerroi Vjenën duke lënë 4 të vdekur edhe 17 të tjerë plagosur, Weidinger ka thënë se armiku ynë i përbashkët nuk është as një grup i caktuar i popullsisë e as anëtarë të një komuniteti fetar.
“Unë vetëm mund të përsëris atë që tha kancelari Sebastian Kurz menjëherë pas sulmit: Armiku ynë i përbashkët nuk është as një grup i caktuar i popullsisë e as anëtarë të një komuniteti fetar; armiqtë tanë janë ekstremizmi dhe terroristët. Andaj dhe gjatë diskutimit në Austri rreth sulmit, nuk luan ndonjë rrol etnia e dorasit. Qytetarët në Vjenë dhe Austri janë të vetëdijshëm se shumë nga forca e sigurisë që kanë mbrojtur dhe mbështetur njerëzit në mbrëmjen e sulmit dhe që këtë e bëjnë çdo ditë tjetër kanë prejardhjen nga Evropa Juglindore. Austriakët janë gjithashtu të vetëdijshëm se personi i parë i vrarë gjatë sulmit kishte të njëjtën prejardhje etnike si autori i krimit”, ka thënë ambadasori Christoph Weidinger për IndeksOnline.
Kujtim Fejzullai, 20-vjeçar, me origjinë nga një fshat në rrethinën e Tetovës, është i dyshuari kryesor për vrasjen e katër personave dhe plagosjen e 17 të tjerëve në Vjenë. Sulmi ndodhi me 2 nëntor në mbrëmje dhe më pas policia qëlloi për vdekje Fejzullain.