Dy partnerët e koalicionit qeverisës, LDK e AAK, nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për shumë çështje anipse u zotuan para qytetarëve.
Lëkundjet u vërejtën edhe në përbërjen e ekipit në dialogun me Serbinë, e së fundi edhe në votimin për pagën e koordinatorit të dialogut, Skender Hyseni, në mbledhjen e Qeverisë.
Lidhur me këtë çështje, për Front Online, ka folur nënkryetarja e AAK-së, Time Kadrija.
Ajo tha se koalicioni qeverisës nuk ka lëkundje dhe se është i qëndrueshëm.
“Jo nuk ka lëkundje, koalicioni është i qëndrueshëm, nuk ka lëkundje dhe është i qëndrueshëm deri tani”, tha ajo.
Ndërsa e pyetur për përfshirjen e PDK-se në Qeveri, deputetja e AAK-së tha se ende nuk e kanë diskutuar një gjë të tillë dhe se për futjen e PDK-së në Qeveri do të marrin vendim në strukturat e partisë.
“Nuk kemi vendosur. Ne vendimet i marrim në Këshill të partisë dhe sigurisht nëse do të zgjerohet Qeveria ne do të diskutojmë në struktura të partisë dhe do të dalim me një vendim”, tha shkurt ajo për Front Online.