Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Nismës Socaldemokrate votuan për raportin e komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve.
Gjithsej 52 deputetë votuan për këtë raport, sipas kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, hyri i fundit në sallën kryesore të Kuvendit për seancën konstituive.
Ai u pa i buzëqeshur teksa kaloi përskaj Ramush Haradinajt, ish-partnerit të tij, me të cilin kishin një koalicion parazgjedhor.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti u fut paraprakisht në sallë gjithashtu i buzëqeshur. Ai ka bërë përpjekje intensive deri vonë të hënën dhe sot herët për ta marrë Nismën e Limajt në një koalicion qeverisës.
Ata të dy mbërritën në objektin e Kuvendit pa iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse tashmë kanë një marrëveshje.