Saga e zgjedhjes së presidentit vazhdon të përflitet në vend. Deri më tani, Ramush Haradinaj është kandidati i vetëm për president të vendit, i nominuar nga AAK-ja. Por, fati i kësaj çështje varet shumë nga dy parti të mëdha, LDK-ja dhe PDK-ja.
Vet Mustafa kishte thënë ditë më parë se PDK-së i takon pozita e presidentit. Në pyetjen se çfarë do të ndodhte në rast se AAK do e bindte PDK-në për përkrahjen e Haradinajt për president, Mustafa ka lënë të hapur çdo opsion.
“Kam vlerësuar se vendit dhe demokracisë i bënë mirë një ndarje e lehtë e përgjegjësive më të larta shtetërore. VV-së i takon pozita e Kryeparlamentarit/es. LDK ka Kryeministrin, ndërkaq pozita e Presidentit do t’i takonte partisë në radhë më të fuqishme. Por, jam shprehur se në LDK nuk e kemi diskutuar në mënyrë shprehimore çështjen e Presidentit. Se, çdo gjë mund të ndryshojë me një marrëveshje të gjerë e cila siguron pjesëmarrjen e një shumice prej 2/3 në votim. Nuk e kam përmend PDK-në, sepse nuk kemi ardhur deri aty që të kemi qëndrime të partisë, as për PDK e as për AAK” është përgjigjur Mustafa.
Indeksonline ka pyetur liderin e LDK-së nëse do të ketë takim apo diskutime me partnerët e koalicionit në ditët në vijim për të diskutuar çështjen e presidentit. Mustafa ka thënë se nuk është asgjë për nguti dhe se ambienti nuk është i përshatshëm për takime.
“Mendoj se nuk kemi nevojë të ngutemi këto ditë. Nuk është ambienti për takime të tilla menjëherë pas arrestimit të Presidentit dhe të Kryetarit të PDK-së. Kur të jenë gati të gjithë, ne kemi vullnet të angazhohemi për një zgjidhje” ka thënë Mustafa.