Kosova ditët e fundit u ‘bombardua’ nga dy vjedhje spektakolare me shuma të mëdha parash në dy institucione të rëndësishme të vendit. Pas këtyre vjedhjeve nga Ministria e Financave, Hykmete Bajrami u deklaroi se përgjegjësit e këtyre veprave do të dalin para drejtësisë.Por a duhet dikush të mbajë përgjegjësi politike për këto raste?
Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, në një prononcim për “Gazeta Blic” thotë ligji po vepron në këto raste dhe se politika duhet të distancohet nga veprimet e ligjit dhe drejtësisë.Ai tutje shton se nëse dikush në këto raste vjedhjesh ka vërtet lidhje me njerëzit e politikës, duhet të ketë reflektim nga ana e politikanëve.
“Unë mendoj se veprimi i forcës së ligjit është në radhë të parë edhe po vepron. Lidhur me veprimet politike, politika duhet të distancohet nga veprimet e ligjit. Sa për rastet morale, nëse dikush ka vërtet lidhje me këto njerëzit e politikës, duhet të reflektojë”, tha shkurt Demaliaj.
Ndërsa deputeti tjetër nga radhët e AAK-së, Rasim Selmanaj thotë se drejtësia po vepron në këto raste dhe se nuk ka nevojë për dorëheqje politike.“Lajmi i keq është se kanë ndodhur këto ngjarje në institucione por në të njëjtën kohë është lajmi i mirë ky krim ka adresë dhe kemi arrestime. Mendoj se ata që janë në atë institucion mendoj se janë duke e luftuar krimin dhe korrupsionin dhe nuk ka nevojë për dorëheqje të tilla”, tha Selmanaj.
Nga Thesari i Shtetit me anë të një sulmi kibernetik u vodhën 2.1 milion euro, ndërsa nga AUV u vodh një arkë 300 kilogramëshe. Nga Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja reaguan pas këtyre rasteve duke kërkuan dorëheqjen e Ministres Bajrami dhe të qeverisë.