Llapi për herë të parë do t’i shijojë garat evropiane këtë vit, pasi u shpall fituese e Kupës së Kosovës.
Në finalen e këtij kompeticioni, Llapi triumfoi ndaj Dukagjinit të Klinës vetëm pas ekzekutimit të penalltive, raporton FrontOnline.
Edicionin që e lamë pas, Llapi e kishte nisur në mënyrë katastrofale në Superligën e Kosovës, ku vetëm pas dhjetë ndeshjeve, kishte tubuar pesë pikë.
Por, gradualisht, Llapi u këndell, sidomos në edicionin pranveror, dhe arriti ta mbyll edicionin në vendin e pestë si dhe me trofeun e kupës.
Triumfi në kupë do t’ia mundësojë Llapit që për herë të parë t’i shijojë garat evropiane, ku do të debutojë në Ligën e Konferencës.
Mirëpo, për daljen në Evropë të Llapit, ish-futbollisti dhe trajneri Faruk Statovci nuk kishte qenë aspak i bindur në nëntor të vitit të kaluar, atëherë kur Llapi po kalonte nëpër një formë të dobët.
Statovci kishte deklaruar në Kanal 10: “Llapi mund ta shijojë Evropën vetëm nëse skuadrat tjera i kap pandemia COVID-19”.
Ndërkaq, trajneri i Llapit, Tahir Batatina i kishte thënë pas kësaj: “Do t’ua japim një biletë për të na parë në Evropë”.
Se a vlen ende ky premtim i Batatinës, FrontOnline e ka kontaktuar trajnerin llapjan, i cili tha se “oferta e tij ende vlen”.
“Atë që e kam thënë, kam qenë i bindur. Nuk mendoj se Faruku nuk ka dashur të jemi ne në Evropë, pasi dihet se edhe e kemi bashkëvendas”, ka deklaruar Batatina për FrontOnline duke shtuar:
“Sa i përket biletës për t’i parë ndeshjet tona evropiane, kjo ofertë ende vlen nga unë”./FrontOnline/
https://www.facebook.com/467453650047520/videos/353849832508860