Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, edhe një herë tha se kjo parti nuk e voton Vjosa Osmanin për presidente.
Lidhur me qëndrimin ose jo në sallë të kësaj partie gjatë votimit të Presidentit, Hoxhaj tha se kjo “është çështje e natyrës teknike” dhe se ‘nuk ka shumë vlerë”.
“Te çështja e zgjedhjes së zonjës Osmani si presidente e mundshme e ardhshme, qëndrimi i PDK-së është super i qartë, ne nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim, nuk qëndrojmë në sallë. Qëndrimi apo mosqëndrimi në sallë janë të natyrës teknike. Kemi pasë debat të gjatë në PDK, është temë e mbyllur. A qëndron apo nuk qëndron në sallë nuk ka kurrfarë vlere. Kandidatura e zonjës Osmani është e papranueshme, nuk e reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ka qenë figurë më shumë përçarëse në raport me qytetarët e Kosovës, në raport me ish-subjektin e saj që e ka shndërru në viktimë të këtyre zgjedhjeve”, tha Hoxhaj.