Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër, Albin Kurti si dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani të enjten mbrëma u kanë dërguar letër partive politike për t’u takuar të hënën, më 15 mars për të diskutuar rreth konstituimit të institucioneve të vendit.
Lidhur me këtë ftesë, Front Online ka kërkuar përgjigje në Partinë Demokratike të Kosovës se cili do të jetë qëndrimi i tyre karshi kësaj ftese.
Nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku ka thënë për Front Online se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë ose jo në takim.
Ai ka treguar se sot do të mblidhet Kryesia e partisë dhe se çfarë do vendimi që do të merret do të bëhet publik.
“Unë jam duke shkuar në takim, ka mbledhje Kryesia e partisë dhe me siguri që vendimin do ta bëjmë publik, pra vendimin që ka me marrë Kryesia e partisë, tani për tani nuk kam qëndrim”, ka deklaruar Lushtaku për Front Online.
I pyetur se a do të diskutohet në mbedhje të Kryesisë edhe kjo çështje, ai ka thënë se nuk e din një gjë të tillë.
“Realisht, nuk e di sepse ne pothuajse kemi çdo ditë takime të rregullta dhe ky takim varet sa është interes I joni me diskutu apo jo këtë çështje”, është shprehur Lushtaku për Fornt Online.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 4 mars ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.
Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve jo-serbe.
Sa i përket pozitës së presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar ulësen në presidencë./Front Online/