Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se partia në të cilën bën pjesë ai nuk ka vija të kuqe për asnjë parti.
Duke folur për një bashkëpunim mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re, Hoti tha se pas zgjedhjeve do të ulen me gjithë spektrin politik në vend dhe të arrijnë dakordim për krijimin e institucioneve.
“Në parim ne nuk kemi vija të kuqe. Punën që po bëjmë është që ne të komunikojmë me qytetarë, me biznese me të gjitha kategoritë, grupet e qytetarëve që të marrim besimin e tyre për këto zgjedhje. Pastaj, do të ulemi me të gjithë spektrin politik dhe të arrijmë dakordimet e nevojshme, mbi bazat programore për të ndërtuar institucionet e vendit”, ka thënë Hoti.
Ai në një intervistë për REL ka thënë folur edhe për programin që ofron për qytetarët si dhe për qasjen që ka LDK-ja për dialogun, Marrëveshjen e Brukselit si dhe për çështje të tjera të brendshme.
Ndër të tjera Hoti foli edhe për furnizimin e Kosovës me vaksinën anti-Covid.