Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, në një prononcim ka folur pas rritjes së rasteve me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë.
Krasniqi thotë se po përcjellin me vëmendje situatën epdimeologjike dhe varësisht se si varion do të shkojnë edhe me masat e tjera.
“Ne do të përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike në nivel të vendit dhe varësisht nga situata do të ndërmarrim masa me kohë. Në SHSKUK jemi duke bërë përgatitje për përballimin e ndonjë fluksi të madh pacientësh nëse veq mund të paraqiten gjatë kësaj kohe ose gjatë dimrit”, tha ai për Gazeta Blic.
Krasniqi tutje ka folur edhe në lidhje me mundësinë e një mbylljeje të dytë, nëse do të ketë rritje të rasteve me Covid 19.
“Kjo do varet krejtësisht nga situata epidemiologjike ose nga numrat që do të kemi dhe besoj që institucionet përkatëse të cilat e kanë për detyrë të bëjnë monitorimin e situatës epidemiologjike do të japin rekomandimet me kohë për sa i përket masave që merren me parandalimin e infeksionit. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është që virusi është ende prezent, nuk ka kaluar dhe po hyjmë në një fazë ku potencialisht ka rritje të rasteve dhe kjo lidhet edhe me fillimin e vitit të ri shkollor, hapja e universiteteve, aktivitet e ndryshme kulturore, sportive administrata e të gjitha këto. Kërkohet një vëmendje të madhe sa i përket respektimit të masave anti Covid. Askush nga ne nuk do ta dëshironte të kalonim në atë që kaluam në muajin korrik dhe gusht prandaj duhet të ketë repsektim rigoroz të masave anti Covid” tha Krasniqi.
Java e fundit u shoqërua me një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve me Koronavirus në vendin tonë.
Gjatë ditës së sotme u regjistruan 98 raste të reja me Covid, numri më i lartë që nga mbyllja e valës së dytë të infektimeve në vendin tonë.