Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar që të premten të mbahet seancë e jashtëzakonshme për Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike për t’u votuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, raporton portali Front Online.
Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nuk ka arritur të kalojë në dy komisione të përhershme, por i njëjti pritet që të premten të dalë në votim.
Lidhur me këtë për Front Online, ka folur iniciuesi i kësaj seance, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Gashi tha se komisionet kanë dhënë mendimet e tyre dhe tani është Kuvendi ai që vendos a do të kalon.
“Komisionet e përhershëm kanë dhënë mendimet e tyre, tash është Kuvendi ai i cili vendos, projektligji shkon në seancë të premten,” tha shkurt Gashi.
Deputeti I LDK-së, tha se pret që edhe në leximin e dytë t’i kenë 64 vota për kalimin e këtij projektligji.
“Mbetet me u pa të premten, të gjitha partitë duhet me trajtu seriozisht pasi që është një projektligj për qytetarët e Kosovës, pres që t’i kemi 64 vota si në leximin e parë”, deklaroi ai./Front Online/