×
  • Lajme
  • Lajme

    Zeqiri: Në burg na thanë NATO-ja sonte e bombardon Serbinë

    FrontOnline
    24 Mars 2023

    Ish-i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Zeqiri, sa herë që vjen data 24 mars i përkujton ish-shokët e vrarë në burgun e Dubravës dhe i kujton ngjarjet e tmerrshme që kanë përjetuar të burgosurit shqiptarë nëpër burgjet e Kosovës dhe të Serbisë nga pushtuesit serbë.

    Në 24-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë, ai sot ka rrëfyer sesi e kanë marrë informatën se “sonte NATO do ta bombardojë Serbinë”.

    “24 marsi i vitit 1999, përpos që ishte ditë e gjatë e vuajtjeve tona të përditshme, ishte edhe ditë e lumtur. Na erdhi informata në burgun e Dubravës, nga të burgosurit ordinerë shqiptarë, se NATO do ta bombardojë Serbinë. Atë ditë na erdhi një shpresë e madhe, se populli shqiptar, më në fund, po çlirohej, se edhe ne të burgosurit do të lirohemi nga burgjet serbe. Kishim besim të madh se nëse fillojnë bombardimet e NATO-s, serbët do të na nxirrnin nga burgu”, rrëfen Sadik Zeqiri ngjarjen e 24 marsit të vitit 1999, kur ishte i burgosur në Dubravë.

    Ai tregon se në Dubravë kishte të burgosur nga burgu i Pejës, i Prizrenit, i Gjilanit, i Prishtinës, i Mitrovicës, por edhe nga burgjet e Serbisë. “Na patën dërguar në Dubravë pasi patën filluar bisedimet në Rambuje e Paris në mes të delegacionit shqiptar të kryesuar nga UÇK-ja dhe Hashim Thaçi dhe nga delegacioni i Serbisë/Jugosllavisë së mbetur. Nga Burgu i Pejës, rreth 50 të burgosur shqiptarë, më 15 mars 1999 na dërguan për Dubravë. Na vendosën nëpër pavijone të ndryshme. Të gjithëve në izolim. Mua dhe disa shokë na vendosën në pavijonin C1, në katin e dytë, në dhomën numër 36. Aty isha unë me Adrian Kumnovën, Shkumbin Malajn, Halit Ademajn, Mustafë Gjocajn. Pavijoni C1 ishte për të burgosur me të drejta të kufizuar, që do të thotë se ushqimin, edhe ashtu të paktë, na sillnin në dhomë. Ushqimin kryesisht e sillnin të burgosurit shqiptarë të dënuar për vepra të ndryshme (jopolitike). Kur u jepej mundësia, sepse ata zakonisht vinin të shoqëruar nga dy e tre gardianë, na njoftonin se si është situata jashtë dhe ç’po ndodhte”, rrëfen Zeqiri për ndodhitë e zhvendosjes nga njëri burg në tjetrin dhe për maltretimet që u bëheshin çdo ditë nga gardianët serbë. Ai tregon se nuk dinin çfarë po ndodhte jashtë, as çfarë do të ndodhte me ta. Megjithatë, disa informata të shkurtra e të shpejta, krejt tri-katër fjalë për gjendjen në Kosovë, i merrnin kohë pas kohe.

    “Zakonisht informatat i merrnim kur gardianët fillonin t’i rrihnin të burgosurit nëpër dhoma e pastaj këta ‘kuzhinierët’ na jepnin informata. Për shembull, informatën se më 24 mars 1999 NATO do ta bombardojë Serbinë na ka dhënë i burgosuri Naser Shporta në mëngjesin e asaj dite. Ai me një zë të vogël na tha: ‘Sonte fillojnë bombardimet e NATO-s’. Ne që e dëgjuam, u hutuam. Një nga ne e pyeti Naserin kush ia ka dhënë informatën. Naseri na tha se i ka dëgjuar gardianët dhe të burgosurit serbë dhe se kanë filluar t’i largojnë nga fushat rreth burgut mjetet ushtarake. Kaq na informoi Naseri”, rrëfen Zeqiri për ngjarjen e 24 marsit të vitit 1999 dhe shton “pasi e hëngrëm atë ushqim që ishte përgatitur si ‘specialitet’ për ne të burgosurit, filluam të bisedonim për lajmin që morëm. Pasi ikën gardianët nga objekti ynë për ta dërguar ushqimin e mbetur në kuzhinën që ndodhej diku te hyrja e burgut, filluam të bisedojmë nëpërmjet dritareve me të burgosurit e tjerë për këtë informatë. Disa e kishin dëgjuar versionin e njëjtë e disa nuk dinin asgjë. Ishte ora rreth 20.00, ndoshta më vonë, sepse nuk kishim orë, kur filluan të dëgjoheshin shpërthimet e bombave në pjesën e Pejës. Pothuajse të gjithë të burgosurit qëndruan gjithë natën zgjuar duke pritur bombat e radhës”.

    Zeqiri thotë se i bëhej zemra mal kur dëgjonte pëlcitjen e një bombe të NATO-s. “UÇK-së, popullit tonë, i erdhi përkrahja më e madhe në kohën e duhur. Kishim shpresë se Serbia do të dorëzohej brenda tri ditësh pas fillimit të bombardimeve por, fatkeqësisht, ato zgjaten 78 ditë e ne të burgosurit vuajtëm po aq ditë, u rrahëm po aq herë dhe na u vranë e u masakruan 130 shokë e mbi 300 u plagosën gjatë këtyre ditëve e muajve në Dubravë, deri më 24 maj, kur na larguan prej aty e na dërguan fillimisht në Lipjan, pastaj në burgjet e Serbisë. Ato bomba të NATO-s paralajmëronin fillimin e çlirimit të Kosovës dhe fundin e robërisë së Kosovës dhe të popullit shqiptar”, thotë Zeqiri, i cili, sa herë që kujton atë ditë, i mbushen sytë me lot kur kujton shokët e vrarë brenda pavijoneve të burgut dhe në fushën e tij.

     

    Blini derivate me çmim të lirë dhe hyni në garë për të fituar banesë, iphone 13 e 19 shpërblime tjera
    Nga Rubrika
    Front TV07 Maj 2024
    Një laborator droge në fshatin Miokoviçe të Leposaviqit është zbuluar nga Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton...
    Ekonomi07 Maj 2024
    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ku tha se nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit...
    Lajme07 Maj 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadoren e ShBA-së në kombet e Bashkuara, Linda Thomas Greenfield, e cila njëkohësisht është...
    Të tjera
    Bota/Rajoni07 Maj 2024
    Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen lëshoi ​​​​një paralajmërim të ashpër për Kinën se Bashkimi Evropian do të bëjë gjithçka...
    Lajme07 Maj 2024
    "Përmes kësaj iniciative, planifikohet që 6 miliardë euro të ndahen nga BE-ja për ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, nga të cilat...
    Vip07 Maj 2024
    Sot nis zyrtarisht festivali i njohur, Eurovision Song Contest, i cili po mbahet në Malmo të Suedisë pas fitores së Loreen në...
    Lajme07 Maj 2024
    “Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës”, thotë Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për t’u marrë me çështje në...
    Sport07 Maj 2024
    Në fundjavë, në praninë e plot 3000 shikuesve dhe në atmosferë të zjarrtë, Cottbusi e zhvilloi ndeshjen e fundit kampionale. Fitoi me...
    Sport07 Maj 2024
    Në një zhvillim të fundit në tregun e transferimeve të futbollit, Chelsea dhe Armando Broja po përgatiten për një ndarje të mundshme....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.