Kiara Tito bëri që Luiz Ejlli t’i rikthehej muzikës pas shumë vitesh. Si asnjëherë më parë, ai regjistroi një këngë brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”.
E titulluar “Me ty”, kënga arriti më shumë se 2 milionë klikime për 24 orë. Teksti dhe muzika e saj u krijuan nga Elgit Doda, i cili ka folur së fundmi për këtë projekt.
Në një intervistë për “Top Albania Radio” ai tregou se si lindi bashkëpunimi dhe si arriti të përfundohej në kohë rekord.
“Duke parë të gjithë gjënë që po ndodh aty brenda, që besoj e ka parë e gjithë Shqipëria. Nuk ishte gati ‘demo’-ja, nuk kam pasur asgjë gati dhe e gjitha është bërë për gjysmë ore si vijë melodike dhe më pas jam marrë me tekstin një gjysmë dite për ta mbaruar. E vendosëm që do të bënim një këngë njëherë bashkë me stafin e “BBV” dhe pastaj unë veprova me tekstin dhe me melodinë. Teksti është shkruar nga unë por gjatë gjithë kohës që kam parë ‘Big’-un kam marrë disa fjalë kyçe që i ka thënë vetë Luizi si psh: “Merri sytë e mi, shikoje veten”.”
Por si ishte e mundur që “Me ty” u realizua për vetëm 30 minuta?
“Frymëzimi është ajo gjëja që ti shkon në studio me idenë që do krijosh një gjë. Unë kam diçka shumë të mirë, e marr direkt përgjegjësinë e dikujt tjetër për ta kthyer në këngë dhe kjo është një dhunti. Edhe direkt ndjesinë e atij djalit që e kam parë në rrjetet sociale, ia mora ndjesinë direkt edhe ia ktheva në këngë.”- shpjegoi artisti.
Natyrshëm na lind pyetja se nëse e kishte takuar Luizin në dhomën e rrëfimit dhe tregoi edhe problemin që kishte zëri i tij, i cili është komentuar po aq sa kënga.
“Unë kam shkuar tek dhoma e rrëfimit vetëm kur i kam marrë zërin. Çështja është që Luizi ndoshta nga cigarja e tepërt dhe abuzimi pak aty brenda ka pasur pak zërin e çjerrë dhe e gjithë gjëja është që mua mu desh që t’ia merrja këngën shumë shpejt. Ai ka bërë prova me veten e tij por pa më pasur mua aty dhe zëri ka qenë për t’u marrë shumë shpejt.”