Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, është mbrojtur në heshtje në rastin e njohur si “Pronto”.
Në seancën e së mërkurës, pasi që trupi gjykues ka administruar si prova, propozimet e prokurores së rastit, Drita Hajdari, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve.
Por, Adem Grabovci, ka thënë se do të mbrohet në heshtje.
Ndryshe, në seancën e së hënës, prokurorja Drita Hajdari, ka propozuar që të administrohen si prova, dokumente të ndryshme që lidhen me përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trainkos” dhe “Ifrakos”, procese këto që kishin ndodhur në vitet 2011 dhe 2012.
Këto propozime, prokurorja Hajdari i ka bërë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin e rastit të njohur si “Pronto”, në të cilin akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët.
Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.