×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Tatimet dhe taksat doganore diktojnë projeksionet për buxhetin

    FrontOnline
    18 Tetor 2019

    Të hyrat nga tatimet dhe taksat përbëjnë shtyllën kryesore prej së cilës varet qëndrueshmëria financiare e një shteti, që njëherësh është burimi kryesor i mbushjes edhe të buxhetit të Kosovës. Bazuar në projeksionet aktuale, parashihet që buxheti i Kosovës për vitin 2020 të jetë 2.4 miliardë euro.

    Institucionet përgjegjëse për mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve të ndryshme financiare janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

    Këto dy institucione, sipas zyrtarëve të tyre, edhe gjatë këtij viti kanë treguar performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave për arkën e shtetit. Ata thonë se i kanë përmbushur projeksionet e Qeverisë së Kosovës për këtë vit.

    Nga 2.3 miliardë euro sa është buxheti i këtij viti, nga zyrtarët e Qeverisë konsiderohet të jetë i realizueshëm, i qëndrueshëm dhe që ruan stabilitetin fiskal.

    Parashikimet e Qeverisë, tashmë në largim, për Doganën e Kosovës janë që deri në fund të vitit të arrijë të grumbullojë 1.2 miliard euro. Drejtori i këtij institucioni, Bahri Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tani janë mbledhur 900 milionë euro. Ndërkaq, deri në fund të vitit Berisha thotë se do të përmbushet projeksioni i parashikuar nga Qeveria e Kosovës.

    “Projeksioni është duke vazhduar mirë, duke marrë parasysh edhe faktorët e jashtëm që mund të ndikojnë performancen e Doganës, sepse Dogana mbledh të hyra bazuar në import, aq sa ka vëllim të tregtisë dhe aq sa ka rritje ekonomike. Por, normal ndikim në të hyra mund të kenë edhe politikat fiskale që i kemi në fuqi. Nëse flasim në aspektin nominal, kemi rreth 60 milionë euro vetëm për prodhuesit që janë liruar nga të gjitha taksat, që ka pasur efekt drejtpërdrejt në taksat e Doganës”, thotë Berisha.

    *Infografikë nga arkivi: Buxheti i vitit 2018

    Në të hyrat e Doganës, thuhet se nuk vërehet ndonjë efekt i zbatimi të taksës 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur në nëntorin e vitit 2018.

    “Të dhënat tona tregojnë se importi vetëm është zhvendosur drejt vendeve tjera. Dhe, në bazë të këtij vëllimi, ne nuk mund të dimë saktësisht se ku është rritur apo ku është zvogëluar, sepse nëse ka ardhur një produkt në të kaluarën nga Serbia, tashmë mund të vijë nga Maqedonia, Shqipëria apo Sllovenia. Kjo mund të dallojë edhe në çmime, por mund të ketë efekt negativ edhe pozitiv”, thekson Berisha.

    Ai thotë se, aktualisht, Kosova importon më së shumti nga Gjermania, Turqia, Kina, Shqipëria, Italia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sllovenia, Polonia, Bullgaria, e kështu me radhë.

    “Këto janë shtetet në top-listën e 10 vendeve, nga të cilat Kosova importon më së shumti”, shton ai.

    Arka e shtetit për gjashtë muaj grumbulloi rreth 900 milionë euro

    Për vitin 2020, Dogana e Kosovës, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022, parashihet të grumbullojë rreth 1.3 miliard euro.

    Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës, thuhet se ka tejkaluar objektivat e planifikuara. Valentina Bytyçi- Sefa, zëdhënëse në këtë administratë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, kjo agjenci ka grumbulluar 372 milionë euro.

    Projeksioni i ATK-së për këtë vit, thotë Bytyçi- Sefa, është mbledhja e 516 milionë eurove apo 16 për qind më shumë së plani i vitit të kaluar.

    “Administrata është duke punuar maksimalisht në luftimin dhe parandalimin e ekonomisë joformale, meqë me uljen e informalitetit, do të kemi rritje të të hyrave dhe njëkohësisht, krijim të barazisë në treg”, bën të ditur Bytyçi-Sefa.

    Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kësaj Kornizës Afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.

    Miratimi i Bbxhetit të vitit 2020, pritet t’i mbetet Qeverisë së re të Kosovës, e cila do të formohet si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

    Nga Rubrika
    Lajme04 Mars 2026
    Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë solemne. Seanca do të mbahet në nderim të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Seanca...
    Lajme04 Mars 2026
    Me 7 vota për, asnjë kundër dhe 2 abstenime, Komisioni për Buxhet në Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndarjen e 4 milionë e 480...
    Lajme04 Mars 2026
    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti mund të propozohet nga Lëvizja Vetëvenedosje për President. Gazeta Express merr...
    Të tjera
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Një avion luftarak F-35 izraelit rrëzoi një avion luftarak iranian YAK-130 mbi Teheran, sipas ushtrisë izraelite, duke shënuar herën e parë që...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Eksperti Koen Herlaar pohoi se në 16 vite përvojë pune si pjesë e Institutit Kriminalistik të Holandës i ka kryer 24 akt-ekpertiza...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Pentagoni ka publikuar emrat e katër ushtarëve rezervë të Ushtrisë Amerikane të vrarë në luftën kundër Iranit. Ata ishin midis gjashtë anëtarëve...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Irani është afër zgjedhjes së Udhëheqësit të ri Suprem, thotë zyrtari Irani është afër zgjedhjes së një Udhëheqësi të ri Suprem për...
    Lajme04 Mars 2026
    Reperi ‘Mossi’ bashkë me dy të tjerë, janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Arrestimi ka ndodhur pas sulmit fizik ndaj gazetarit Burim...
    Lajme04 Mars 2026
    Është vetëdorëzuar në polici një person për të cilin, policia në Gjakovë të martën kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.