Dua Lipa ka forcuar pozicionin e saj si një nga artistet më të mëdha të muzikës pop, pasi dyfishoi pasurinë e saj në pothuajse 50 milionë funte (58.5 milionë euro) të hyra vjetore.
Këngëtarja e hitit “One Kiss” ka grumbulluar përgjatë këtij viti jo më pak se 47.2 milionë funte (55.2 milionë euro), nga gjithsej 24.5 milionë funte (28.6 milionë euro) sa kishte fituar përgjatë vitit 2020.
Ajo grumbulloi të hyra vjetore prej 22.7 milionë funtesh (26.5 milionë euro) vitin e kaluar – ekuivalenti me 1.9 milionë funte (2.2 milionë euro) në muaj, ose 62,200 funte (72,800 euro) në ditë, shkruan The Sun.
Si dhe duke bërë një pasuri nga shitjet e albumit dhe reklamat me markat e njohur, Dua, 26 vjeçe, ka 28 milionë funte (32.7 milionë euro) asete në kompaninë e saj ‘Dua Lipa Live LLP’, sipas dokumenteve financiare të depozituara në Companies House në Londër.
Karriera e këngëtares ka kaluar nga forca në fuqi, me këngën e saj “Levitating”, e cila u emërua kënga numër 1 në listat amerikane të vitit 2021.
“Levitating” është pjesë e albumit të saj të dytë në karrierë, “Future Nostalgia”, i cili ishte albumi më i shitur i vitit 2020 në Mbretërinë e Bashkuar.
Në tetor, bashkëpunimi i saj me Sir Elton John, “Cold Heart”, u bë kënga e saj e tretë solo që renditet në vendin e parë në top listat britanike.
Ajo gjithashtu ka pasur marrëveshje fitimprurëse nga reklamat me kompaninë e ujit “Evian” dhe atë të parfumeve “Yves Saint Laurent”.
Dua, e cila ka lindur në Londër, do të nisë turneun e saj “Future Nostalgia” në Miami në muajin shkurt – turne i cili u vonua për shkak të pandemisë COVID-19.
Ndërkohë ajo ka punuar shumë edhe për albumin e saj të tretë.
Duke folur në ‘podcast’-in “Pop Shop” në ShBA më herët sot, ajo tha: “Jam vërtet e emocionuar. Ndihem si në shtëpinë time në studio. Nuk ka ku të jem më mirë”.
“Pra, gjatë kësaj kohe që kam qenë në shtëpi në Londër, ishte thjesht e mahnitshme të hyja dhe të kompozoja, të eksperimentoja dhe të provoja gjëra të reja. Thjesht ka qenë e mrekullueshme”.
Në Vitin e Ri, ajo do të publikojë gjithashtu buletinin e saj të quajtur “Service 95” dhe një ‘podcast’ të quajtur “At Your Service” për t’i afruar fansat me të.
Ajo tha: “Unë dua ta bëj aktivizmin të arritshëm për njerëzit që duan të përfshihen dhe të ndihmojnë. Kjo është diçka që është vërtet e rëndësishme për mua”.
“Pra, të jesh në gjendje të thyesh barrierën atje – të krijosh përmbajtje që është vërtet e lehtë për t’u ndjekur që mund të ndihmojë në çfarëdo mënyre”, theksoi Dua.
“Dhe gjithashtu thjesht ndriçoni artistët, stilistët dhe muzikantët dhe të gjithë llojet e njerëzve në fushën krijuese. Është me të vërtetë vetëm të jesh në shërbim”, u shpreh artistja shqiptare.