×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Premtimet e partive për rritje ekonomike bien ndesh me FMN-në

    FrontOnline
    28 Shtator 2019

    Nga 6 deri në 9 për qind rritje ekonomike kanë premtuar partitë dhe koalicionet garuese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë. Këto premtime, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike po cilësohen si të paarritshme dhe po shihen vetëm si premtime elektorale.

    Në Kosovë, përgjatë viteve të fundit rritja ekonomike nuk ka shënuar më shumë se 4 për qind.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka parashikuar për vitin 2019 një rritje ekonomike për Kosovën deri në 4.2 për qind, ndërsa projeksionet e FMN-së për rritjen ekonomike për vitet 2020 deri në vitin 2024, janë jo më shumë se 4 për qind.

    Nisur nga premtimet e bëra publike, Partia Demokratike e Kosovës në programin qeverisës kanë paraparë rritje ekonomike rreth 8 për qind. Koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate kanë premtuar rritje ekonomike nga 7 deri në 9 për qind. Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, kanë premtuar rritje ekonomike më të lartë se 5 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka garantuar dyfishim të normës vjetore të rritjes ekonomike në Republikën e Kosovës, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës, në bazë të paraqitjeve publike, ka premtuar rritje ekonomike deri në 8 për qind.

    Rëndësia e rritjes ekonomike qëndron në faktin se rritja deri në 4 për qind, vlerësohet se nuk adreson problemet me të cilat përballet Kosova, siç janë papunësia e varfëria, ndërsa rritja ekonomike 6 deri në 9 për qind, vlerësohet se do të ndikonte në uljen e varfërisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës, duke ulur kështu edhe shkallën e papunësisë.

    Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, tha për Radion Evropa e Lirë se këto premtime në këtë kohë zgjedhjesh, nuk mund të shihen si reale.

    “Në fushatën zgjedhore, premtimet janë të pakontrolluara. Në këtë kaos ekonomik në të cilën gjendet Kosova, ku e kemi vobekësi të rendit dhe ligjit, ku kemi mungesë të disiplinës financiare pasojë e së cilës janë prishur edhe raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), kur e kemi këtë rënie të interesimit të investitorëve të huaj të investojnë në Kosovë, po ashtu kur kemi këtë trend të barrierave që gjenerohen në forma të ndryshme dhe këtë imazh që jemi duke e ndërtuar, është utopike të mendohet se do të ketë rritje ekonomike jo 6 e 9 për qind, por do të ishte e dëshirueshme që në vitin 2020 të kemi rritje ekonomike 4 për qind”, thotë Gërxhaliu.

    Që Kosova të ketë rritje ekonomike çfarë po premtohet, shton Gërxhaliu, duhet të ketë reforma substanciale në fusha të ndryshme, e që sipas tij, këto reforma vështirë se mund të bëhen me këta kandidatë të cilën synojnë qoftë ulëse në Parlament apo në institucione.

    Për vite, shton Gërxhaliu, sektori ekonomik në Kosovë është anashkaluar, gjë që ka penguar zhvillimin ekonomik në vend.

    “Duhet të kuptohet që nëse analizohen rekomandimet e diplomatëve dhe shteteve mike të Kosovës, ekonomia dhe aspekti social as që gjenden në agjendën e rekomandimeve në këto shtete, por esenca është marrëveshja me Serbinë dhe normalizimi i raporteve në këtë drejtim dhe po shihet që Qeveria e ardhshme do të ketë shumë më tepër angazhime rreth zgjidhjes së problemeve të kaluara. Që ekonomia të jetë prioritet duhet të ketë sundim të rendit dhe ligjit dhe kur për ekonominë të flasin ekspertët dhe jo politikanët dhe meritokratët, është koha të promovohen vlerat”, thotë Gërxhaliu.

    Eksperti tjetër i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse shikohen programet qeverisëse të partive politike në garë për zgjedhjet e 6 tetorit, nuk mund të arrijnë rritje ekonomike deri në 9 për qind ashtu siç pretendojnë.

    “Nëse i marrim parasysh premtimet e tyre elektorale se do t’i forcojnë skemat sociale dhe përftimet në paga dhe mëditje nga sektori publik, atëherë duhet të tregojmë se kjo është kontradiktore për faktin se rritja e pagave në sektorin publik dhe destinimi i mjeteve vetëm për sektorin publik e frenon sektorin privat, i cili është bartës i zhvillimit ekonomik të çdo vendi”, thotë Gashi.

    Gashi shton se ekziston mundësia e rritjes ekonomike edhe më tepër se 4 për qind, sa ka qenë përafërsisht viteve të fundit, por nevojiten masa konkrete që duhet të ndërmerren në ekonomi.

    “Do të ishte më mirë që të premtonin që në vitin e parë do të nxisin ekonominë që të rritet për 1 për qind dhe ndoshta do të ishte reale që në katër vitet e qeverisjes të rritet nga 1 për qind. Po ashtu do të ishte reale partitë politike të tregojnë masat konkrete nga vjen ajo rritje”, thotë Gashi.

    Për të pasur një nivel më të lartë të rritjes ekonomike, ekspertët thonë se duhet të përkrahet sektori privat, politika të favorshme fiskale, të ketë konkurrencë të barabartë në treg, të ashpërsohet lufta kundër evazionit fiskal dhe të bëhen reforma tjera.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Nga procesi i votimit, pritet të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, nga e cila më pas, partia apo koalicioni fitues do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës për një mandat kushtetues katërvjeçar.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Forcat ajrore dhe të mbrojtjes raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun lindor kanë kapur një raketë balistike iraniane që fluturonte drejt...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi këtë të mërkurë ndrsyhimet në qeveri, të propozuara nga kryeministri Edi Rama. Belinda Balluku lë kabinetin...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s kanë rrëzuar një raketë iraniane që po shkonte drejt hapësirës ajrore të Turqisë, ka deklaruar sot...
    Të tjera
    Lajme04 Mars 2026
    Emri i Justina Pulës është përmendur sot në media si e propozuar nga PDK-ja për postin e presidentes. Rreth kësaj çështjeje, ka...
    Lajme04 Mars 2026
    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka mohuar se partia e tij ka një kandidat për President pas disa raportimeve se kryeakademikja Justina...
    Lajme04 Mars 2026
    Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar se vetëm gjatë muajit shkurt janë shqiptuar 18 mijë e 616 gjoba, lidhur me mosrespektimin...
    Sport04 Mars 2026
    Muaji mars këtë vit po shënohet me një iniciativë të veçantë që përçon 31 mesazhe përgjatë 31 ditëve, nga figura të njohura...
    Lajme04 Mars 2026
    Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur grupin e saj parlamentar për të diskutuar lidhur me çështjen e presidentit. Para këtij takimi, Ministri i Punëve...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër, ku një e moshuar ka rënë nga tarraca e Shtëpisë së të Moshuarve. Ngjarja...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.