Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, e ka përkujtuar rapsodin e madh shqiptar, Dervish Shaqa në 36 vjetorin e vdekjes.
Haradinaj tha se me këngët e tij, Dervish Shaqa përjetësoi kujtimin për heronjtë, patriortët e luftëtarët.
“I lindur në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, tridhjetë e gjashtë vite më parë pushoi së rrahuri zemra e rapsodit të madh Dervish Shaqa. Ai përjetësoi kujtimin për heronjtë, patriotët e luftëtarët, kullat e rezistencës, në vargjet që i përcjelli me çifteli”.
Kreu i AAK-së theksoi se këngët e tij gjithmonë reflektuan mallin për Llukën, për Dukagjinin dhe Kosovën.
“I dëbuar që në vitin 1956 nga Kosova, këngët e tij gjithmonë reflektuan mallin për Llukën, Dukagjinin e Kosovën. Përpos që u nderua me shumë çmime, këngët e tij frymëzuan gjenerata të tëra, që kulmuan me gjeneratën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I dekoruar pas vdekjes, me Medaljen Presidenciale të Meritave, ai mbetet përgjithmonë në kujtesën historike shqiptare”.