Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, dikur ministër i Shëndetësisë, është shprehur i brengosur për shkak të rritjes së infeksionit me COVID-19.
Zemaj në një postim në Facebook ka thënë se virusi ka marrë hov të madh.
Sipas tij, menaxhimi i pandemisë do qasje ofensive dhe nuk mund të ketë sukses nga kolltukët e as nga parqet publike.
“Për dhjetë ditë, është shumë brengosëse rritja e infeksionit me Covid-19. Virusi ka marrë hov të madh.
Për dhjetë ditë, 10013 qytetarë janë pozitiv. Fatkeqësisht 125 qytetarë (pacientë) kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës. Fronti i betejës kundër virusit është i hapur.
Demagogjia dhe shantazhi demtojnë të arriturat në menaxhimin e situatës pandemike. Andaj menaxhimi i pandemisë do qasje ofensive dhe nuk mund të ketë sukses nga kolltukët e as nga parqet publike”, shkroi Zemaj në Facebook.
Kujtojmë se vetëm sot u shënuan 10 viktima dhe 753 raste të reja me koronavirus në Kosovë.