Ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në një konferencë për media ka bërë të ditur se sot kanë paraqitur kërkesën në Kryesi për amandamentimin për Ligjin për Zgjedhje dhe për dy kandidatura për president, ku për presidente është kandidatja Vjosa Osmani dhe kandidati i dytë është Nasuf Bejta.
Sipas saj, së pari është thirrur seanca e jashtëzakonshme për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhje, e nëse ka vullnet të deputetëve atëherë do të caktohet edhe ajo për presidentin.
Në Kryesinë e Kuvendit do të diskutohet për Ligjin për Zgjedhje, ka deklaruar ajo.
“Kryesia e Kuvendit do të trajtojë amandamentin për Ligjin për Zgjedhjet në mbledhjen e radhës. Ne kemi kërkuar që seancën e parë të jashtëzakonshme ta kemi sot, me pikën e vetme për amanadmentin për Ligjin për Zgjedhje. Nga procesi i fundit zgjedhor kemi parë një mobilizim të madh të mërgatës por ai vullnet nuk është përkthyer në futjen e rezultatit përfundimtar zgjedhor. Ne kemi dhënë premtimin kryesor që Ligji i Zgjedhjeve do të ketë prioritet që do të prek këtë pjesë. Kandidatja e parë për presidente është Vjosa Osmani dhe kandidati i dytë është Nasuf Bejta dy kërkesat janë protokoluar pranë sekretarisë së Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se Vjosa Osmanin do ta kenë presidente në momentin kur të votohet në Kuvendin e Kosovës.
“Përderisa ne nuk mund të dijmë saktë se çka do të ndodhë, nuk mund të them asgjë. Është një seancë e cila synon ti arrijë mandatet ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë ajo.
Kjo do të varet nga procedimi i Ligjit për Zgjedhje, derisa deputetët dhe Kryesia janë në Kuvend.
E, pyetur se a mund të mbahet seanca sot apo nesër ajo ka thënë se këtë nuk mund ta paragjykon.
“Nuk mund të paragjykojë tani se e a mund të ketë debat për Ligjin për Zgjedhje. Vullneti ynë është që të shkojë në procedurë të përshpejtuar”, ka thënë ajo/Front Online/