Ministri në detyre i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka kërkuar nga bordi i Infrakosit që të pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të kësaj ndërmarrje.
Kjo më arsyeje se nuk janë zbatuar kriteret e konkursit.
“Pavarësisht se unë si Ministër e në cilësinë e aksionarit të Infrakos-it, me shkresë zyrtare qysh dje kam kërkuar nga bordi i Infrakos-it që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv, me arsyetim se në proces të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit, ata këtë çështje e kanë bërë akt të kryer, me çka kanë bërë shkelje”, ka deklaruar ai.
Këto procedura Nitaj i ka lënë në dorë Qeverisë së re.
“E kam vlerësuar se zgjedhja e bordeve të reja duhet të jetë në diskrecionin e Qeverisë së re. Por kjo nuk nënkupton që bordet e përkohshme që janë në ditët e fundit të tyre, mund të bëjnë përzgjedhjen e ngutshme të kryeshefave ekzekutivë të ndërmarrjeve publike, madje edhe duke shkelur rregullat e konkursit, e shpesh edhe në kundërshtim me ligjin, siç ka ndodhur me kryeshefin ekzekutiv të Infrakos-it”, ka thënë Nitaj.