×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykimi për korrupsion, mbrohen në heshtje gruaja e “Sandokanit” dhe zyrtari tjetër i MPMS-së

    FrontOnline
    04 Shkurt 2021

    Udhëheqësja e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në Departamentin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës (DFDIL), Sanije Rexha dhe zyrtari tjetër i MPMS-së, Kushtrim Bala, kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje.

    Dy të akuzuarit po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi, pasi sipas Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) u kishin mundësuar qytetarëve të Shqipërisë që në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë statusin e veteranëve të luftës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 133.280.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën e mbajtur të enjten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pas dëgjimit të dëshmitarit Izedin Bytyqi dhe administrimit të provave, dy të akuzuarit kanë deklaruar se mbesin pranë deklaratave të dhënë në polici dhe prokurori.

    Ndryshe, në këtë seancë, ka dhënë dëshmi ish-sekretari i përgjithshëm i MPMS-së, Izedin Bytyqi, i cili ka deklaruar se nuk kishte pasur vërejtje në asnjërin të akuzuar.

    Ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarës Rexha, avokatit Tahir Rrecaj, ka thënë  se detyrat dhe përgjegjësitë e DFDIL janë të rregulluara me rregulloren për organizim të brendshëm të MPMS-së, e cila rregullore sipas tij parasheh detyrat dhe përgjegjësit e këtij departamenti si: propozon, harton dhe siguron zbatimin e dokumenteve, politikave në fushën e pensioneve dhe beneficioneve për kategoritë e luftës, propozon, harton dhe zbaton legjislacionin për fushën e pensioneve dhe beneficioneve për kategoritë e luftës, administron skemën pensionale për kategoritë e luftës, planifikim dhe kombinon programin për pensione dhe beneficione për kategoritë e luftës, mban regjistra dhe statistika për regjistra të pagesave, mirëmban dhe përditëson regjistrat dhe statistikat për pagesat e pensioneve.

    Sipas tij, statusin pensional e lëshon komisioni qeveritar, ndërsa DFDIL pas pranimit të certifikatës vazhdon me procedurën për realizimin e të drejtës së pensionit.

    Ai tha se formularin e aplikimit për njohjen e ndonjë skeme për kategoritë e dala nga lufta nuk e kishte parë asnjëherë, prandaj sipas tij, ai nuk është në dijeni se çfarë vlere ka ai formular.

    Në lidhje me dy të akuzuarit, dëshmitari tha se nuk kishte pranuar ndonjë vërejtje nga auditori dhe se i njëjti nuk kishte gjetur ndonjë shkelje nga ky departament.

    Në pyetjen se a ishte dashur një zyrtar i MPMS-së të kërkojë leje nga ai apo eproret e tjerë për të shkuar jashtë vendit për aplikim, dëshmitari ka thënë se atij nuk i ishte kërkuar asnjëherë një leje e tillë.

    Ai tha se formulari i aplikacionit statusin e dokumentit zyrtar e fiton në momentin kur plotësohet dhe nënshkruhet, ndërsa sipas tij, nëse gjatë  plotësimit të formularit bëhet ndonjë gabim, mund të merret një formular tjetër.

    Në pyetjen e të akuzuarës Rexha, se gjatë punës a kishte vërejtur ndonjë tendencë nga ana e saj për keqpërdorim, dëshmitari ka thënë se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë vërejtje për asnjërin të akuzuar.

    Dëshmitari Bytyqi ka thënë se dy të akuzuarit lidhur me punën e tyre i kishin raportuar drejtoreshës së DFDIL, Shqipe Krasniqit, e cila e kishte raportuar atë si sekretar i përgjithshëm për punën e këtij departamenti dhe sipas dëshmitarit, e njëjta me të akuzuarën Rexha nuk kishin pasur raporte të mira.

    Dëshmitari përmendi edhe përgjegjësitë e divizionit për monitorim, pjesë e të cilit janë edhe dy të akuzuarit, ku sipas tij, ky divizion sipas rregullores së brendshme ka për detyrë të monitorojë zbatimin e legjislacionit për përfituesit e skemave pensionale dhe benefizioneve për kategoritë e luftës, identifikon dhe korrigjon dyshimet eventuale lidhur me procedurat e përfitimeve nga skemat e pensionale dhe beneficionet, bashkëpunon me institucione relevante për marrjen e informacioneve që kanë të bëjnë me pensione dhe beneficione të kategorive të dala nga lufta, si dhe bashkëpunon me zyrat e pensioneve lidhur me sistem monitorues dhe identifikimin e gabimeve të pagesave.

    “DFDIL i ka pas 18 zyrtar, 6 kanë qenë regjione, 12 në Prishtinë kanë qenë para se me fillu njohja e statusit të veteranëve, por për shkak të fluksit shumë të madh është dashur që 2-3 zyrtar me i qu të departamenteve të tjera për ndihmë, kjo nuk është e përcaktuar në rregullore”, ka deklaruar dëshmitari pas pyetjes së prokurorit special Dren Paca, lidhur me atë se në detyrat dhe përgjegjësitë e këtij divizioni nuk përmendët se ky divizion është marrë edhe me pranimin e aplikacioneve për njohjen e pensioneve, për të cilat po akuzohen Rexha dhe Bala

    I pyetur nga prokurori Paca, se a kishte lëshuar dëshmitari leje për dy të akuzuarit që të dilnin në Shqipëri dhe t’i dërgonin 31 aplikacione, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet dhe sipas tij, kjo çështje nuk ka qenë e rregulluar proceduralisht, pasi tha se në atë kohë kishte hyrë në fuqi ligji.

    Ndryshe, në seancën e së enjtes provat e propozuara në aktakuzës janë konsideruar si të lexuara, ndërsa prokurori Paca ka kërkuar që të administrohet edhe një CD mbi zbatimin e masave të fshehta, e cila ishte incizuar në zyrën e të akuzuarës Rexha, në të cilën CD sipas prokurorit, vërehet takimi i të akuzuarës Rexha në zyrën e saj me 16 janar 2019, me personin Sokol Pogba,  të akuzuarin Bala dhe dëshmitaren Vlora Blakqori.

    Sipas prokurorit, në këtë video incizim shihet personi Sokol Pogba duke ia sjellë të akuzuarës Rexha katër formularë për njohjen pensionit të veteranit, të cilat dy të akuzuarit kishin kërkuar nga Vlora Blakqori e cila kishte qenë përgjegjëse për pranimin e aplikacioneve, që ti pranonte ato aplikacione edhe pse të njëjtat sipas prokurorit, nuk ishin të nënshkruara nga aplikuesit.

    Këtë CD nuk e kanë kundërshtuar as mbrojtja, por sipas avokatit Rrecaj është devijim i asaj që thuhet në CD dhe asaj në shqyrtim gjyqësor, ngase sipas tij, Sokol Pogba nuk kishte sjellë asnjë aplikacion por kishte sjellë vetëm dokumentacionin.

    Seanca e radhës ku pritet të jepet fjala përfundimtare është caktuar me 2 mars 2021, në ora 09:30.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, e pandehura Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

    Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit, pa autorizim kishin marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës, ku i kanë plotësuar 31 formularët për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, formularët e plotësuar i kanë sjellë në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme.

    Me këto veprime ata akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

    Po ashtu, ata akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’u sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

    Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.

    Artani: Stresi e Andi u gëzuan për ndarjen e Julit, s’duhet t’iu gëzohesh fatkeqësive të të tjerëve (VIDEO)
    Nga Rubrika
    Lajme15 Shtator 2024
    Të premten një punëtor vdiq pasi ra nga kati i një ndërtese në ndërtim e sipër në Prizren. Ai është J.K, i...
    Lajme15 Shtator 2024
    Nga Grupi Multietnik ka folur zv/kryetari i dytë në Komisionin për Arsim, Enis Kervan i cili tha se shpreson që premtimet të...
    Lajme15 Shtator 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka uruar që të kthehet sa më shpejtë  nga Haga ish kreu i kësaj...
    Të tjera
    Lajme15 Shtator 2024
    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se janë në pritje të Maqedonisë së Veriut për fillimin e...
    Lajme15 Shtator 2024
    Lëvizja Vetëvendosja para se të vinte në pushtet kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë mandatit qeverisës të Albin Kurtit. Kanë mbetur...
    Kronika15 Shtator 2024
    Një burrë është arrestuar në Gjilan nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj gruas. Viktima ka pranuar tretman mjekësor,...
    Lajme15 Shtator 2024
    15 shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Sot është Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kjo datë është përcaktuar në vitin 2007, me rezolutën...
    Lajme15 Shtator 2024
    Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve, pas disa operacioneve në qytete...
    Lajme15 Shtator 2024
    Pas një jave pushim, nesër do të rikthehen seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë. Procesi gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.