Nga shpërthimi që dje ka ndodhur në një lokal në Ferizaj kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona. Në mesin e tyre edhe Leonora Beka dhe katër familjarë të saj. Beka në një lidhje direkte për emisionin #gjesi në T7 ka treguar se si i ka shpëtuar shpërthimit dhe në çfarë gjendje janë familjarët e saj që po trajtohen në spital.
Leonora Beka e cila jeton në Zvicër por ka ardhur për pushime në Kosovë ka thënë se i ka të lënduar babain, vëllain, nusen e vëllait dhe vajzën e vëllait të tij, 5-vjeçare.
Në momentin e shpërthimit ajo thotë se ka qenë në banjo, e rrjedhimisht ka shpëtuar me lëndime të vogla.
Ajo thotë se nusja e vëllait është në muajin e tretë të shtatzënisë e ka pësuar lëndime të rënda.
“E kam babin, vëllain, nusen e vëllait dhe çikën e vëllait 5 vjeçare, vëllain e kam shumë të lëndum edhe babain janë në Prishtinë në QKUK. Dy duart dhe këmbët i ka nusja edhe është shtatzënë, vajzës iu ka djegë veshi, qafa, flokët edhe gjysma e fytyrës. Nusja e ka komplet fytyrën, flokët deri në lëkurë. Unë kam shpëtuar veç flokët i kam pak të djegëta”, ka thënë ajo.
“Në muajin e tretë të shtatzënisë, por, për momentin bebja është mirë. Nusja krejt i mbanë mend, veç nuk e dinë që kemi me i transferu për Turqi. Duhemi me e përgatitë me i tregu. I falënderoj të gjithë që na kanë ndihmu, taksisat na kanë qu krejtve në spital. Një barnatore në Ferizaj na kanë dhënë me paketa ndihmë nuk kanë shiku, s’ka pas as gjilpëra për infuzione, as infuzione as sen s’ka pas. Me barna me krema na kanë dhanë”, shton e njëjta.
Vëllai i saj, sipas dëshmitares është në listën e personave që do të dërgohen për shërim jashtë vendit.
“90% është e sigurt që kanë me i qu sot, vëllai i jem është në atë listë, babai ka me nejt këtu. Baba fytyrën e ka, duart edhe kokën. Unë jetoj në Zvicër, dola me babanë, motrat, vëllezërit, me hëngër një drekë, pasi kemi hangër drekë ndodhi rasti unë patjetër duhna me u kthy”, ka thënë e njejta.