Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka shpërndarë edhe një histori nga një ish-pjesëtares së UÇK-së nga Lugina e Preshevës.
Linda Fetahu Krivajneva iu bashkua nismës “Liria ka emër” për të mbrojtur pastërtinë e UÇK-së dhe dokumentuar krimet e ushtrisë serbe në Kosovë, njofton Klan Kosova.
“Janar ‘99. Agu i parë pas masakrës së Reçakut, ishte pikëkthesa kur Linda Fetahu-Krivanjeva vendosi t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si infermiere e re, ajo u gjend pranë fëmijëve, të pambrojturve, të sëmurëve, të thyerve në moshë, të vrarëve e plagosurve, ushtarëve të lirisë në çastet më të vështira e në orët më të liga”, shkruan Cakaj.
“Ajo ende dhembshurisht kujton qëndrimin e parë përballë me mortin: një vajzë 23 vjeçare, shtatzënë, e cila tre ditë pasi humbi fëmijën, shkoi edhe vetë në amshim, për të mbetur gjithmonë martire në mbamendjen e përbashkët të gjithë kombit shqiptar. Ato u bënë pluhur frymëzimi për çdo brez shqiptarësh më pas, ndërsa puna, loti e sakrifica e Lindës u bënë dielli i lirisë i më të dashurës, Kosovë. Lutem ta shpërndani këtë histori për t’i dhënë krahë e jehonë rrëfimit madhështor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Liria ka emër. Krenar me UÇK-më”.