×
  • Lajme
  • Lajme

    A po i ndihmon Qeveria e Kosovës ata që po i kërkojnë shqiptarët e groposur në Serbi?

    FrontOnline
    11 Dhjetor 2020

    Dhjetëra shqiptarë kanë shkuar në Serbi për t’i kërkuar 20 vjet pas luftës eshtrat e bashkëatdhetarëve të tyre të vrarë e copëtuar, e të groposur thellë nën tokën e Serbisë. Nëse Qeveria e Kosovës po u ndihmon apo jo sa duhet atyre, kjo nuk është edhe fort e qartë

    Njëzet vjet pas luftës, marrëdhëniet midis dy shteteve – të cilat u takuan përsëri të enjten për një raund tjetër negociatash me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – mbeten të këqija. Lufta në Kosovë që përfundoi vetëm me ndërhyrjen e organizuar ndërkombëtare duke e bombarduar Serbinë, përveç gjenocidit dhe mijëra të vrarëve mbi tokën që u bë e pavarur në vitin 2008, la edhe shumë civilë shqiptarë thellë nën dheun e pyjeve të Rashkës së Serbisë.

    Për dhjetë ditë, specialistët me kostume të bardha të mjekësisë ligjore të Kosovës kanë qenë të zënë duke rihapur llogore të minierës së Kizevakut, me qëllim që pas kaq shumë vitesh të mund t’i identifikojnë mbetjet e shqiptarëve, trupat e të cilëve – shumë prej tyre të gjymtuar e masakruar në mënyrën më makabre – ishin varrosur në mënyrë masive.

    Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, të mërkurën u ankua për kushtet joadekuate dhe mbështetjen jo të duhur nga Qeveria. Ai përmendi problemet që i kanë për udhëtime dhe për mëditje, që i quajti qesharake. Ai pati ankesa edhe për rrobat e kolegëve të tij, të cilët tha se kishin shkuar atje “me rroba të veta, e atje temperaturat janë minus”. Por të pyetur nga Gazeta Express për këto shqetësime, Qeveria e Kosovës dhe Minitria e Drejtësisë i kanë hedhur poshtë pohimet e Gërxhaliut.

    Qeveria ka premtuar mbështetje të pakursyeshme për Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa Ministria e Drejtësisë u përgjigj me një deklaratë që tha se është e drejtorit të këtij instituti, Arsim Gërxhaliut. Vetë Gërxhaliu nuk ka qenë i qasshëm sot, kur Express ka tentuar të kontaktojë me të.

    “Siç ka deklaruar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës me rastin e vizitës në Institutin e Mjekësisë Ligjore më 12 tetor 2020, ‘si Qeveri nuk do të kursejmë asgjë që t’ju qëndrojmë afër Institutit, Komisionit, por edhe gjithë familjeve, në mënyrë që çështja e të pagjeturve të zbardhet dhe të përmbyllet sa më parë’. Përkrahja institucionale pakursyeshëm do të vazhdojë në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet përgjigjjen e Zyrës së Kryeministrit.

    Ndërsa Ministria e Drejtësisë, për përgjigjje e ka dërguar një deklaratë në emër të Arsim Gërxhaliut, ku thuhet se ankesat e tij kishin të bënin për periudhën nga viti ’99 deri në vitin 2010.

    “I nderuar, lidhur me pyetjet tuaja, ju lutem më poshtë gjeni sqarimin e dhënë nga z. Gërxhaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore: “Sa i përket deklaratës time të dhënë në “Interaktiv”, ju njoftoj se unë kam folur për procesin e tërësishëm të kohës, që nga viti ‘99 e deri me sot, kuptimi i mospërkrahjes është që nga fillimi në kohërat kur ne kishim nevojë për mbështetje e që ne fakt nuk e kemi pasë, sidomos për vitet ’99 deri më 2010, por e kam cekur se muajve të fundit ka filluar përmirësimi i mbështetjes për këtë proces”. Faleminderit për bashkëpunim!”, thuhet në përgjigjjen e ministrisë.

    Gërxhaliu të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së tha se nuk kanë pasur mbështetje të duhur, por se kjo çështje është riaktualizuar nga mediat dhe politika.

    “Më vjen keq të them që s’kemi pasë mbështetje të duhur. Kjo është e vërteta për këto 25 vjet. Thjesht tash këto muajt e fundit është bërë një riaktualizim edhe nga ana e mediave, edhe nga politika”, ka thënë ai.

    “Përkrahjen e kemi vetëm bazuar në ligj”, ka theksuar Gërxhaliu, duke shtuar se “tek javën e kaluar ka arritur z.Makolli ta bëjë një trysni që bile për stafin i kanë siguruar nga 196 euro me marrë rroba që t’i kenë për punë atje”.

    “Se njerëzit po shkojnë me rroba të veta, e atje temperaturat janë minus. Është shtatë kilometra prej Kopaonikut. Edhe ajo është diçka, por ka lëviz diçka. Për këto tjerat, kemi një burokraci për të cilën më shumë kam probleme këtu për udhëtime atje dhe për mëditje – që janë qesharake – për ushqim për kolegët e mi që nevojitet. Edhe kjo procedura burokratike… Ne faktikisht nuk i kemi të rregulluara këto çështje, sepse me ligj këto organizime i takojnë komisionit qeveritar. Ata janë bartës të të gjitha këtyre çështjeve”, ka thënë Gërxhaliu.

    Ai ka thënë se ministri Selim Selimi “është ministri i tetë i Drejtësisë me radhë që e pres”, ndërsa shtoi se “të paktë kanë qenë ata që kanë pasur interesim”.

    “Ka interesim të themi më tepër më 27 prill e 30 gusht. Përndryshe për këto çështje tjera, bile bile ndoshta edhe nuk na kanë takuar që t’ju themi për problemet apo gjësendet tjera”, ka thënë Gërxhaliu.

    Njëzet vjet pas luftës, çështja e të zhdukurve vazhdon ta ndërlikojë dialogun e ngadaltë që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe si qëllim përfundimtar ka njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

    Ndërkohë fantazmat e mijëra të zhdukurve ende ndjekin shoqërinë Kosovës. Nga lufta e fundit në Kosovë, raportohet të jenë 1,643 të zhdukur, duke përfshirë më shumë se 1,000 shqiptarë dhe 570 serbë dhe anëtarë të pakicave të tjera.

    Që nga viti 2001 ekspertizat e shumë organizatave ndërkombëtare evidentuan eshtrat e më shumë se 900 shqiptarëve të gjetur në territorin serb.

    Prishtina zyrtare e ka bërë zgjidhjen e kësaj çështje element kryesor në negociatat e vështira aktuale që po zhvillohen me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, e herë pas here, edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Kurtishaj: Presim që Shqipëria do të jetë top destinacion turistik edhe për 2023, jo veç për patriotizëm
    Nga Rubrika
    Lajme11 Shtator 2024
    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla i ka kërkuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron që ta vizitojë Kosovën dhe të shohë...
    Lajme11 Shtator 2024
    Trendi i konvertime nga feja islame në atë katolike, po vazhdon të jetë në rritje. Vetëm gjatë ditës së sotme rreth 100...
    Lajme11 Shtator 2024
    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, bënë homazhe në...
    Të tjera
    Lajme11 Shtator 2024
    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur...
    Lajme11 Shtator 2024
    Kuvendi ka njoftuar se nesër do të mbahet seancë plenare nga ora 10:00. Ky është rendi i ditës: 1.    Miratimi i procesverbaleve...
    Bota/Rajoni11 Shtator 2024
    Sot bëhen 23 vite që nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001, të cilat ndryshuan përgjithmonë qytetin e Nju Jorkut dhe SHBA-në....
    Lajme11 Shtator 2024
    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të mërkurën (11 shtator) ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë...
    Lajme11 Shtator 2024
    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, priti...
    Lajme11 Shtator 2024
    Sot Qeveria në mbledhjen e 220-të të saj miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Por,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.