×
  • Lajme
  • Lajme

    Shkaku i pandemisë, anulohen seancat gjyqësore për rastin “Veteranët”

    FrontOnline
    18 Nëntor 2020

    Me fjalën përfundimtare të palëve, këtë javë ishte paraparë të përfundojë gjykimi në rastin e njohur si “Veteranët”.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Ata po akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

    Mirëpo, përfundimi i gjykimit në këtë rast ka mbetur peng shkaku i pandemisë së COVID-19.

    Kjo pasi që, seancat e parapara të mbahen për këtë rast të martën dhe të mërkurën janë anuluar.

    Nga zyra e kryetares së trupit gjykues për këtë rast, Nushe Kuka-Mekaj, kanë bërë të ditur se seancat janë anuluar pasi që dy gjyqtarë dhe dy avokatë që janë të angazhuar në këtë rast, janë në vetizolim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, më 15 tetor të këtij viti, të akuzuarit kishin përfunduar mbrojtjen e tyre në këtë rast.

    Agim Çeku, Shkumbin Demaliaj dhe Sadik Halitjaha ishin përgjigjur në pyetjet e bëra nga avokatët dhe prokurorët, kurse Shukri Buja, Rrustem Berisha dhe Ahmet Daku ishin përgjigjur vetëm në pyetjet e avokatëve të tyre ndërsa kishin refuzuar të përgjigjeshin në pyetjet e prokurorëve.

    Kurse, Nuredin Lushtaku, Qelë Gashi, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari ishin mbrojtur në heshtje.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë, raporton”.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

    Nga Rubrika
    Lajme21 Korrik 2025
    Nesër parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vende-vende priten riga shiu me rrufe...
    Lajme21 Korrik 2025
    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se në Shtime dega e tyre përfshinë 50% gra në listë. “Në qytetin e Shtimes, me...
    Lajme21 Korrik 2025
    Një aksident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur sot në Gjakovë, ku dy punëtorë ndërtimtarë kanë humbur jetën pasi ranë...
    Të tjera
    Lajme21 Korrik 2025
    Njohësi i çështjeve të arsimit të lartë, Xhavit Rexhaj, në “Info Plus”në për RTK ka shprehur shqetësimin për rënien e vazhdueshme të...
    Lajme21 Korrik 2025
    Zëvendësdrejtori i “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, u arrestua të shtunën në Kosovë. Kjo pasi ai gjatë një...
    Lajme21 Korrik 2025
    Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Uran Ismaili, ka njoftuar se të mërkurën, më 23 korrik, nga ora 19:30, do të...
    Bota/Rajoni21 Korrik 2025
    Një grua 82-vjeçare vdiq në Fondi (Latina) pasi u infektua me virusin e Nilit Perëndimor. Gruaja, banore e Romës u shtri në...
    Lajme21 Korrik 2025
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për vdekjen e dy punëtorëve sot në Gjakovë, duke thënë se “humbja e jetës në...
    Lajme21 Korrik 2025
    Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan për paraburgimin e pesë zyrtarëve policorë...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.