Për Feti Cakollin, u miratua apo jo në lexim të dytë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, pak rëndësi ka.
Ai as ndërmend s`e ka të tërheqë 10 % e kursimeve të tij prej Trustit. Arsyeja është e thjeshtë.
“Po jo se ato janë shumë pak para sa që nuk ja vlen me i nxjerr”, u shpreh ai për Front Online.
Si ky, të holla pak të tubuara, kanë gati edhe gjysma e kontribut paguesve të tjerë.
Mbi 316 mijë prej tyre nga 639 mijë sa janë gjithsej, në bazë të pasqyrës financiare të Trustit, do t`u bie të nxjerrin nga më pak se 1 deri në 100 euro.
Si rezultat i kësaj situate, në PDK, s`do të rrinë duarkryq.
Kujtim Gashi nga kjo parti thotë se si anëtar i komisionit për Financa e Buxhet në Kuvend do të bëjë çmos që pjesë e projektligjit në lexim të dytë të jetë edhe amendamenti i tyre.
“Ne kemi dalë me një propozim që ata që kanë nën 10 mijë euro t`u mundësohet tërheqja dhe në një afat prej 5 vitesh t`u rikthehen mjetet e tyre”, u shpreh Gashi për Front Online.
Ngjashëm mendon edhe eksperti i ekonomisë, Bardh Ahmeti.
“Varianti më i mirë do të ishte të gjendet një mënyrë tjetër dhe këto mjete të rimbursoheshin. Në asnjë vend të zhvilluar qytetarët nuk do ta shfrytëzonin këtë mundësi. Këto jane mjete kur ata duhet t`i shfrytëzojnë në moshë të shtyer”, theksoi ai për Front Online.
E siguri se nuk do t`i prekin këto të holla deri kur të plaken nuk kanë dhënë qytetarët, ani se e pranojnë se kanë tubuar pak deri tani.
“Secili mendon për çështjet e veta financiare. Po sipas nevojës. S`e besoj që do të jetë ndonjë zgjidhje. Të shohim.”, thotë një qytetar.
“Nuk di as sa m`u kanë tubu, e di që një 10 %. Nuk besoj se do t`i preki. Nëse kam ndonjë nevojë ”, shprehet një qytetar.
“Nuk e kam këqyr sa më takojnë. Nuk do t`i preki një herë për një here. Edhe nëse mund t`i tërheqë nuk do ta bëjë një gjë të tillë”, tregon një kontribut pagues tjetër.
Sidoqoftë, puna e nxjerrës së 10 % nga Trusti nuk është përfundimtare. Kjo pasi Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, në kuadër të të cilit parashihej prekja e 10 % të Trustit, duhet të marrë miratimin e deputetëve edhe në leximin e dytë, dekretimin pastaj të Presidentit e krejt në fund aminin për publikim në Gazetën Zyrtare.
https://www.youtube.com/watch?v=_DKmqt3mOb0&feature=youtu.be&ab_channel=FrontOnline