
Shoqata e Bankave të Kosovës, ka dënuar grabitjen me armë zjarri në një bankë në Shtime. Rasti ka ndodhur sot rreth orës 08:15, ndërsa ende nuk dihet shuma e parave të grabitura.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, ata kanë kërkuar nga organet e rendit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryerësit.
“Shoqata e Bankave të Kosovës ka dënuar fuqishëm aktin e sotëm të grabitjes me armë zjarri në një bankë në Shtime, me ç’rast kërkon nga organet e rendit që sa më parë t’i sjellin para drejtësisë kryersit e këtij akti të shëmtuar kriminal, të cilët nën kërcënimin e armës, rrezikuan sigurinë e punëtorëve, qytetarëve dhe prestarëve të policisë”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, grupet e tilla kriminale, të cilat synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës, e në veçanti bankat e që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, duhet të identifikohen sa më parë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar.
Shoqata e Bankave të Kosovës, ka njoftuar se, me qëllim të ngritjes së sigurisë në sektorin bankar, në muajin shkurt të këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Kosovës, me qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre.