Komandanti i Betejës së Koshares, Hisen Berisha, ka thënë se lidhur me vrasjen e Kolonel Ahmeti Krasniqit nuk mungojnë pistat të hetimit.
“Zbulimi i vrasjes së tij nuk është i vështirë dhe nuk është se mungojnë pistat e hetimit dhe identifimikit të vrasësve. Ai gjithmonë ka qenë i shoqëruar dhe nuk ka pasë kohë për jetë luksi, është treguar se ka qenë e lehtë të dihet pozicioni dhe lëvizja e tij. Vrasja e tij ka ndodhur sepse ishte njeriu që donte t’i jepte një konotacion tjetër luftës”, ka thënë Berisha, njofton Klan Kosova.
“Në takimin në Papaj në tha se do të shpërngulet në Kukës pasi ta lë Tiranën. Ishte i koordinuar me Sali Çekjan. Të gjitha këto së bashku e kanë sjell vendimin e tij që të angazhohemi në mënyrë intensive. Këto ishin pengesat dhe arsyet që çuan deri te eliminimi i tij. Mendoj se pengesa kryesore ishte bërë për “dorën e zgjatur të Serbisë” apo siç e quaj unë “dora e zezë e Serbisë” dhe e vranë”.
Për Berishën pistat e hetimit të zbardhjes së vrasjes së Krasniqit janë të identifikueshme.
“Sa kanë dështuar institucionet tona, aq e kanë pasur edhe të pamundur. A është e ndershme që të përdoret si i tillë dhe të bëhet temë sa herë duan të fitojnë tema politike, është e pandershme. Të gjitha rrymat kanë qenë në pushtet dhe pse nuk e shtyn këtë proces. Ndoshta është vrasje që nuk duhet të hapet si dosje tani për një milion arsye që i kupton vetëm shtetit. Është e pamoralshme as të drejtohet gishti, as të adresohet vrasja, nëse kanë qenë në pushtet dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë”.