
Kompania private “Tregu Group” po i shet konsumatorëve të vet produkte të qumshtit me afat të skaduar, duke ua rrezikuar kështu shëndetin e tyre.
Një konsumator ia ka sjellë Portalit “Front Online” dëshminë që sot në mëngjes në orën 07:45 ka blerë një jogurt “Jogobella Klasik”, të cilit një ditë më herët i ka kaluar afati i skadimit.
“Të enjten në mëngjes e kam blerë një jogurt Jogobella te Tregu Group te Qafa në Prishtinë, të cilit i kishte kaluar afati i përdorimit një ditë më herët. Jogurtin e kam blerë 37 cent dhe kur e pashë paketimin e fryrë e shikova edhe datën e skadencës, e cila ishte 28 gusht 2018”, ka thënë ky qytetarë për “Front Online”.

Drejtuesit e kompanisë “Tregu Group” i kanë deklaruar portalit “Front Online” se kjo mund të ketë qenë hera e parë kur në një pikë shitëse të tyre gjinden produkte ushqimore pa afat.
“Kjo që ka ndodhë sot në dyqanin tonë, me shitë produkte pa afat, mund të ketë qenë hera e parë dhe e vetme. Ne afatet i kontrollojnë me vëmendje, por zakonisht kur ndërrohet stafi ndodhë që të mbetet një produkt i tillë. Unë e kuptoj shqetësimin e konsumatorit të këtij produkti, e cila është parregullsi e jona dhe për këtë skemi justifikim. Po ta dija se në cilën pikë ka ndodhë, do ta ftoja konsumatorin dhe t’i kërtkoja falje”, ka thënë njëri prej drejtuesve të këtij biznesit.

Përndryshe, sot gjatë ditës mediet kanë raportuar se 22 persona janë helmuar nga ushqimi në një restorant në Gjilan. Edhe vitin e kaluar rreth 30 veta ishin helmuar nga ushqimi në një restorant në këtë qytet të Anamoravës.
/Front Online/