
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës Njazi Thaçi para pakë ditësh ka nënshkruar vendimin për pagën jubilare për punëtoret e Ndërmarrjes Publike (NP) më të madhe në vend Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas vendimit që e ka siguruar Front Online thuhet se vazhdohet njohja e obligimit për pagesën e pagave jubilare për të gjithë pjesmarrësit që kanë plotësuar kushtin kanë arritur përvojen e punës mbi 10, 20 apo edhe 30 vjet në këtë ndërmarrje, raporton Front Online.
Drejtori Thaçi ka thënë se vendimi është marrë pas performancës pozitive që ka arritur korporata në të gjithë sektorët e saj në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
“Duke u bazuar në performancën pozitive në të gjithë sektorët, të cilat janë arritur falë angazhimit maksimal të gjithë punëtorëve duke filluar nga këtu ku nxirret thëngjilli e deri tek ata që e bëjnë prodhimin final, kemi marrë vendim që punëtorëve të KEK-ut si stimulim tu aprovojmë pagesën e pagës jubilare, duke filluar nga viti 2015 e në vazhdimësi”, ka deklaruar drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi.
Përndryshe Korporata Energjetike e Kosovës ka mbi 4 mijë punëtorë të angazhuar.
Raporti i fundit i aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut, rezulton që KEK-u ka tejkaluar të gjitha objektivat e parapara në gjashtë mujorin e këtij viti. Profiti I Korporatës ka arritur në mbi 8 milion euro. / Front Online/