
Në kuadër të “Prishtina Green Week” është prezantuar edhe projekti nga arkitekti Visar Geci dhe ekipi i 1010, të cilët në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe TE Pema kanë bërë një projekt për Prishtinën të emëruar “THE GREEN QUEEN”.
Në kuadër të këtij projekti për përmirësimin e gjelbërimit të kryeqytetit është edhe edhe mbështjellja e oxhakut të ngrohtores së kryeqytetit duke mos e dëmtuar objektin.
“Prishtina jonë – e bukur, me shumë njerëz, plot jetë, e dashur dhe mbi të gjitha e ndotur! Ky qytet me frymë rinore në këtë vend të ri, ka mbajtur vendin e 1-rë në listën e Indeksit Botëror të Cilësisë së Ajrit për shumë ditë në dimrat e fundit, duke lënë pas ndotësit më famëkeq dhe duke ngritur alarm në mesin e popullatës që shqetësimet për ajrin e pastërt nuk i kanë pasur primare në mesin e brengave për mbijetesë”, ka shkruar Geci.
“Në përpjekje për t’i dhënë këtij qyteti, qytetit tonë, diçka të lavdishme me të cilën do të njihet – një pikë referimi të ri në formën e një “eake-up call”, ne jemi frymëzuar nga dy elementë: 1. Nevoja për ngritjen e vetëdijes për mjedisin në një kohë të përshkallëzimit të shkatërrimit të ekosistemeve tona dhe krizës më të rëndë klimatike me të cilën po përballet bota, dhe 2. Një objekt që ende qëndron në mes të qytetit, por që nuk është më në funksion – Oxhaku i Ngrohtores së Qytetit”.