
Guvernatori i Lombardisë, rajon në veri që ishte epiqendra e përhapjes së koronavirusit në Itali, të mërkurën ka njoftuar se i është caktuar një përcjellje policore pas shtimit të kritikave se si ka menaxhuar krizën administrata e tij, shkruan agjencia Reuters.
Lombardia, një prej rajoneve më të popullarizuara dhe të pasura të Italisë dhe një motor i ekonomisë në këtë vend, është një nga rajonet që është prekur më së rëndi në botë nga koronavirusi. Në Itali kanë vdekur më tepër se 32 mijë persona nga koronavirusi, ndërsa më tepër se gjysma janë nga ky rajon.
Guvernatori rajonal Attilio Fontana, një aleat i ngushtë i zëvendës-kryeministrit Matteo Salvini, nuk ka dhënë detaje për eskortën e sigurisë që i është caktuar, por ka thënë se vendimi për të angazhuar një nuk ka ardhur me kërkesën e tij, por është vendosur nga autoritetet relevante.
“Më vjen keq për familjen time që kanë qenë të shqetësuar”, ka thënë Fontana. “Gjatë ditëve të fundit, ka pasur tepër helm. Për fat të keq, është rezultat i gënjeshtrave që janë thënë nga forcat e caktuara politike që e kanë helmuar atmosferën dhe kanë nxitur një klimë të rrezikshme të urrejtjes”.
Po ashtu autoritetet kanë njoftuar se i janë caktuar ditëve të kaluara eskorta sigurie edhe ministres së Edukimit, Lucia Azzolina dhe zëvendës-ministres së Shëndetësisë, Pierpaolo Sileri.
“Kemi marrë shumë kërcënime në rrjetet sociale. Ka aq shumë dhe janë pjesë e klimës së urrejtjes”, ka thënë avokati i Fontanas, Jacopo Pensa për “Il Sole 24 Ore”.
Italia ka filluar zbutjen e masave kufizuese, pas dy muajve izolim shkaku i koronavirusit.