
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.H i cili dyshohet për veprën penale “Dhunim”.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se më 13 prill, rreth orës 11:00, në një shtëpi të pabanuar në dalje të komunës së Vitisë, është dhunuar një e mitur e moshës 16-vjeçare.
“I pandehuri E.H., më 13 prill 2020, rreth orës 11h, në një shtëpi të pabanuar në dalje të komunës së Vitisë, ka dhunuar të dëmtuarën e mitur nën moshën 16-vjeçare, në atë mënyrë që pasi njoftohen përmes rrjetit social ‘Snapchat’, duke shfrytëzuar pozitën e saj dhe nën premtimin se do të martohet me të, ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën edhe përkundër faktit se e njëjta kishte refuzuar”, thuhet në raport.
Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri E.H., gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 17 prill 2020.