
Izolimi i qytetarëve gjatë kohës së pandemisë Covid-19 po ndikon në gjendjen e shëndetit mendor të tyre. Për ta kapërcyer më lehtë këtë periudhë, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, Linja e Jetës dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë, kanë hapur qendra të thirrjeve, përmes së cilave qytetarët po telefonojnë për të shprehur shqetësimet e emocioneve të tyre.
Kjo linjë telefonike që është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) me Departamentin e Psikologjisë së Universitetit të Prishtinës, ofron këshillim psikologjik falas për çdo qytetar që ka shenja ankthi, frike apo pasigurie të shkaktuara nga COVID19.
Prej 22 prillit numri 038/200-80-890 i MSh-së, është në dispozicion nga ora 11:00 deri në ora 22:00.
40 vullnetarë psikologë dhe student të Psikologjisë në UP, do të jenë në shërbim të qytetarëve të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të përjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja të depresionit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë për Front Online se qëllimi i këtij projekti është që përmes këshillimeve psikologjike qytetarët ta kalojnë më lehtë këtë periudhë të pandemisë.
“Në bashkëpunim me departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës me 22 prill të këtij viti, është themeluar linja për ndihmë psikologjike në kuadër të së cilës një grupe prej 40 vullnetarëve, psikologë dhe studentë të psikologjisë gjatë ditës ofrojnë këshillime të ndryshme, seanca të ndryshme për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë ta dëgjojnë zërin e psikologut për arsye të shqetësimeve të ndryshme që ata mund t’i kenë”, ka thënë Hoti.
Ai ka theksuar nevojën e madhe për një ndihmë të tillë telefonike, përmes së cilës, sipas Hotit, qytetarët do ta përballojnë më lehtë stresin e përjetuar.
“Fakti që gjatë ditës pranohen telefonata të shumta, tregon që qytetarët e kanë pritur atë dhe në të njëjtën kohë e kanë gjetur edhe partneret për të biseduar dhe për t’i shfaqur problemet e tyre të natyrës së shëndetit mendor. Thjesht është një linjë u ndihmon atyre ta përballojnë më lehtë stresin duke ditur edhe faktin që me fillimin e pandemisë Covid-19, rutina e të jetuarit ka ndryshuar për secilin qytetarë dhe nuk është e lehtë të përballohet një kalim prej një rutine të zakonshme në një rutinë me kufizime të ndryshme mund të ndikojnë edhe në shëndetin mendor”, ka pohuar Hoti.
Hoti: Shumë vullnetarë po u dalin në ndihmë qytetarëve
Zëdhënësi i MSh-së, tha se varësisht nga problemet që qytetarët shfaqin, ata udhëzohen nga psikologët edhe për shërbimin të mëtutjeshme.
“Psikologët që janë këtu bashkëpunojnë edhe me kolegët e tyre në Qendrat tjera të Shëndetit Mendor në repartet psikiatrike, dhe varësisht nga problemi që klienti shfaq, ai udhëzohet në mënyrë adekuate se ku duhet ta marrë shërbimin final”, tha Hoti.
Projekti i Linjës për Ndihmë Psikologjike, sipas Hotit, ka shpërfaqur aspektet pozitive të vullnetarizmit të qytetarëve, që gjë sipas tij, do të shërbejë edhe në të ardhmen për përfitime në aspektin shëndetësor.
“Situata me pandeminë përkundër telasheve që ka shkaktuar në përgjithësi me shëndetin e popullatës, ka nxjerr edhe disa anë tjera që mund të nxjerrim edhe mësime prej tyre. Një prej aspekteve pozitive është edhe zhvillimi i vullnetarizmit sepse në Kosovë e dimë që iniciativat e vullnetarëve nuk kanë qenë të theksuara. Nga kjo situatë kemi kuptuar që vullnetarët mund të japin një kontribut të madh në menaxhimin e çdo situate dhe pasi të kapërcejë kjo situatë, përvojat do të përdoren në të ardhmen për përfitimin e beneficioneve shëndetësore të popullatës”, deklaroi Hoti për “Front Online”.
Hoti: Deri të mërkurën janë realizuar 200 thirrje telefonike
Qysh nga funksionalizimi i Linjës për Ndihmë Psikologjike të MSh-së, deri të mërkurën janë realizuar 200 thirrje nga qytetarët. Tha kështu për Front Online zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti.
Ai madje tha se ka pasur raste kur një vullnetar iu ka përkushtuar deri në dy orë një qytetari.
“Mund të ketë seanca që zgjasin disa minuta e deri në dy orë. Ka pasur raste kur një vullnetar ia ka kushtuar dy orë të tëra një qytetari duke i dhënë këshilla se si ta përballojë më lehtë këtë periudhe pandemie”, tha Hoti për “Front Online”.
Vullnetarja në Qendrën e Thirrjeve, Miradije Statovci, tha për Front Online se ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve janë kryesisht janë ato të ankthit.
“Në kuadër të Departamentit Psikologjik të UP-së dhe në kuadër të MSh-së, këtu jemi afërsisht 40 psikologë. Kemi rreth 15 raste gjatë ditës që kemi thirrje. Më shumë janë shqetësimet që kanë ndodhur gjatë kohës së pandemisë. Janë shqetësimet e ankthit kryesisht. Ka edhe raste tjera që janë në depresion. Ne ju japim këshilla dhe i udhëzojmë ata. Çka do që kemi mundësi iu ndihmojmë”, tha Statovci për “Front Online”.
Qytetarët mund të telefonojnë edhe në “Linjën e Jetës” për ndihmë psikologjike
Në shërbim të qytetarëve po ashtu është edhe “Linja e Jetës” e cila funksionin në kuadër të organizatës për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS).
Secili qytetarë që ka ndonjë shqetësim, në mënyrë anonime mund të marrë këshillim emergjent, falas në numrin 0800/123-45 dhe është në dispozicion nga ora 18:00 deri në 02:00 pas mesnatës.
Bind Skeja drejtor i QIPS, tha për Front Online se funksionimi i “Linjës së Jetës” është bërë i mundur falë përkrahjes së Komunës së Prishtinës.
“Ndihmën që e ofrojmë e kemi afat-shkurt dhe emergjent, në bazë të trajnimit që e kemi marrë prej Linjës në Holandë. Tash janë 19 persona të trajnuar. Telefonatat kanë efekt afat shkurtër. Varësisht prej problemit i drejtojmë qytetarët te psikologu apo ndonjë shërbim tjetër që mundet me ju ndihmuar”, ka thënë Skeja për Front Online.
Ai shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje, duke mundësuar kështu që projekti i “Linjës së Jetës” të jetë afatgjatë dhe funksional 24 orë.
“Linja e Jetës, nuk ka me u ndalë asnjëherë. Jemi duke punuar që kjo linjë të punojë 24 orë. Jemi në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe po bisedojmë që t’i sigurojmë fondet, që brenda këtij viti apo tjetrit Linja me u stabilizuar më shumë. Po shpresojë që ndërkohë edhe MSh-në, mundemi me krijuar bashkëpunimin, pasi është e domosdoshme, që të jemi funksional dhe më të mirë”, ka pohuar Skeja.
Skeja: Qytetarët të flasin me njëri tjetrin për t’i tejkaluar problemet në kohë pandemie
Përhapja e pandemisë Covid-19 duke ua kufizuar qytetarëve aktivitetet dhe detyrat që i kishin gjatë ditës, po ndikon negativisht edhe tek shëndeti mendor i tyre.
Kështu ka konstatuar, Bind Skeja, drejtor i QIPS-së, i cili këshillon qytetarët që të komunikojnë më shumë me njerëz që ata i konsiderojnë të besueshëm për ta tejkaluar më lehtë izolimin nga përditshmëria e tyre.
“Gjëja më e mirë që mundet secili ta bëjë, është të flasin për brengat që i preokupojnë. Unë për veti kam medituar më moti. Dhe e kam vërejtur që kur ka filluar karantina nuk ka funksionuar më. Çka funksionin tash është, me biseduar me njerëz që ti i konsideron të afërm, dhe që të dëgjojnë. Nëse nuk keni persona që ju dëgjojnë, mundeni me thirr Linjën e Ndihmës, munden me na kontaktuar edhe në “Fol Shlir”, platformë kjo e QIPS-it, munden të telefonojnë edhe Linjën e Jetës. Nëse veç biseda nuk mjaftonë, të paktën të ndihmon për t’i identifikuar pikat tjera të forta që qytetarët pastaj të kapen prej tyre.
Trendi i pandemisë së coronavirusit në Kosovë, ditëve të fundit është në rënie. Aktualisht numri i të infektuarave në Kosovë është 860, ndërsa 27 persona kanë humbur betejën me Covid-19./FrontOnline/