
Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar opinion ligjor për mandatarin të cilin Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i’a dha LDK-së pak më parë, për formimin e Qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit ku u rrëzua qeveria në krye me Albin Kurtin, raporton “Front Online”.
Për ta dorëzuar këtë opinion ligjor, Kushtetueses i është drejtuar nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga LVV-ja Arbërie Nagavci si dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Rexhep Selimi dhe një zyrtar ligjor nga kjo parti.
Ka qenë po Selimi ai i cili në një konferencë për media tha se me këtë dekret presidenti e ka shkelur Kushtetutën duke u munduar që ta zënë në gjumë si gjykatën ashtu edhe administratën shtetërore.
“Sapo dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkessën për vlerësimin e kushtetutshmërisë për dekretin e presidentit që i dha para kohësh LDK-se. Me këtë dekret presidenti ka vazhduar që ta shkel Kushtetutën dhe jo rastësisht në këtë fundjavë ku nesër është festë e më pas vikendi, presidenti është përkujdesur që qoftë gjykatën qoftë Administratën ta zënë në gjumë për shkak të festës”, ka thënë ai.
Selimi ka thënë që me ketë veprim presidenti e ka shkelur Kushtetutën duke e shfrytëzuat festën dhe vikendin.
“Ata janë duke u munduar që t’i shfrytëzojë vikendin sepse po e dinë që po e shkelin Kushtetutën. Ne nuk do të ndalemi duke ta mbrojtur Kushtetutën dhe këtë vend. Neve nuk na ka zënë në gjumë ky vendim i radhës antikushtetues i presidentit”, ka thënë Selimi./Front Online